Empoli është duke u përgatitur për rikthimin në Serinë A, teksa ka barazuar në miqësore 0-0 me Pro Verçelin. Në fushë, për 90 minuta u aktivizua Frederik Veseli, futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, një pikë e fortë e toskanëve, teksa sezonin që do të nisë së shpejti, më 17 gusht, do të ketë të bëjë me sulme shumë të forta… Ai dha një intervistë për “PianetaEmpoli”, ku foli edhe për përballjen me Kristiano Ronaldon…
Çfarë ndeshje ishte, ti që e jetove për 90 minuta me intensitet?
Ishte një ndeshje pak më e vështirë se dy të tjerat. Gjetëm një kundërshtar të fortë dhe hapësirat ishin të pakta. Ishte njnë ndeshje për ne pak më e vështirë në këtë aspekt, pasi edhe fizikisht jemi të rënduar, sepse kemi punuar shumë, por jam i bindur që do të gjejmë soliditetin tonë.
Luajte në të gjitha pozicionet në mbrojtje. Specialiteti yt është të jesh “xhol”…
I bëra të gjitha rolet, mungonte vetëm përpara mbrojtjes. E vërtetë që mund të luaj kudo, por trajneri vendos dhe ai vlerësoi edhe futbollistë të tjerë të rinj. Ndaj, vlerësimet janë të tijat, ashtu edhe zgjedhjet. Mua më takon të bëj maksimumin…
Si po ecën grumbullimi?
Po punojmë në aspektet e lojës, si në taktikë, ashtu edhe në teknikë dhe fazën atletike e fizike. Sigurisht, na mungoi disi grinta në këtë miqësore, pasi nuk gjetëm hapësirat e duhura. Por, në këtë aspekt do të punojmë. Jam i sigurt.
Si po ecën përshtatja e të rinjve?
Shumë mirë. Eshtë pak e vështirë kur vjen nga jashtë në Itali, sepse luhet ndryshe, sidomos për mbrojtësit. Po shkon mirë, megjithatë. Grupi i ndihmon dhe do të përpiqemi t’i mësojmë italishten sa më shpejt (qesh).
Së shpejti nis Seria A. Si e pret, duke qenë se do të kesh përballë sulmues cilësorë, mes tyre Kristiano Ronaldon e Juventusit?
Do të jetë një kampionat niveli më të lartë, sepse ka skuadra mjaft të mira. Të gjitha janë duke u organizuar më shumë në aspektin solid. Do të jetë interesante.
Sa më përket, jam tepër entuziast, sepse më pëlqen të luaj ndaj sulmuesve më të fortë, madje këtë vit do të jetë edhe Ronaldo. Sfidë e madhe për t’u përballur. Kam më shumë eksperiencë në këtë aspekt, sepse edhe në kombëtaren kam pasur të bëj me sulmues të mëdhenj, si ndaj Italisë dhe Spanjës. Jam tepër entuziast.