Zllatan Ibrahimoviç ka rilindur te Milani dhe pas statistikave mbresëlënëse të vendosura me kuqezinjtë merr ftesën e Kombëtares së Suedisë. Një rikthim pas 5 vitesh te nordikët. Tashmë në moshën 39-vjeçare Ibra e di mjaft mirë se fiziku i tij nuk i përgjigjet në të njëjtën mënyrë si më parë, por kjo nuk e pengon të shtojë vlerat në skuadër.
Një në prononcim për kanalin në “Youtube“ të Kombëtares suedeze, sulmuesi i Milanit shprehet se nuk është thirrur prej emrit që mban mbi shpinë, por prej asaj që ka dhënë në fushë. Më tej Ibrahimoviç sqaron se ai dhe trajneri Anderson i kanë hequr një vijë të shkuarës jo të qetë mes tyre dhe se e vetmja ndjenjë në trupin e tij tashmë është ajo e krenarisë për të veshur fanellën e Kombëtares.
“Nuk ka rëndësi se çfarë bëra më parë, por çfarë mund të jap tani. Është e vërtetë, unë nuk mund të jem lojtari që isha 5, 10, 15 ose 20 vjet më parë, kam një fizik tjetër dhe luaj ndryshe. Por unë e mbaj një nivel shumë të lartë. Shkurt, nuk më thirrën sepse quhem Zlatan Ibrahimoviç. Unë e meritoj atë për vlerën që i shtoj skuadrës.
Marrëdhënia me trajnerin? Takimi ishte shumë pozitiv, në emër të respektit të ndërsjellë. Ne shqyrtuam gjithçka dhe i hoqëm vijën të kaluarës. Jan është një tip i qartë dhe i drejtpërdrejtë, tek ai njoh një fitues dhe është e njëjta cilësi që ndiej në vetvete. Përfaqësimi i vendit tënd është gëzimi më i madh, kështu që me krenari dhe nder do të vesh fanellën e Kombëtares”, ka thënë Zllatan Ibrahimoviç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/