“Nuk luan dot njeri me mua”! Magani shpërthen në intervistë: Hera e dytë që ma përsërit Telushi, nuk lejoj as djalin tim

Dinamo e ka mbyllur ndeshjen kundër Egnatias në shifrat 1-1. Miqtë arritën që të kalonin në avantazh që në minutën e 8, teksa “ushtar” Telushi kishte gjithë gjakftohtësinë për të kaluar Bakajn. Menjëherë pas kësaj minute, kryeqytetasit e kthyen ndeshjen me një portë. Raste të panumërta janë shpërdoruar nga ana e Dinamos deri në gjetjen e rrjetës. Këtë herë ishte kapiteni tjetër, Agim Ibrahimi, që nuk do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë.

Cinedu shpërdoroi një rast flagrant në fundin e së parës, atje ku topi shkoi shumë më lartë portës së mbrojtur nga Puja. Ndërkohë pjesa e dytë kishte një tjetër panoramë, mes dy ekipeve që krijuan shumë raste për të shënuar.

Fillimisht ishte Cyrbja që fitoi një penallti për Egnatian, por këtë herë Bakaj tregon lartësinë e tij nga 11-metrat, ku ashtu si edhe ndaj Tiranës, arrin që të pres topin e goditur këtë herë nga Pedro Augusto. Dinamo kishte jo pak mundësi për të shënuar, por edhe në krahun tjetër ishte një super Puja.

Cinedu dhe Mihana dolën para Pujës, ndërsa ky i fundit arriti që t’i ndalë. Në fund kishte edhe një gol të anuluar për Dinamon, atje ku VAR-i mori shumë kohë për të vendosur mbi një rast shumë të diskutueshëm. Të dyja ekipet kanë ndarë nga një pikë, ndërsa Egnatia konfirmohet si realitet i ri. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Magani: “Si rezultat teknik, unë mendoj se kemi lënë dy pikë sot, edhe pse kundërshtari ishte shumë i motivuar dhe i fortë. Në momente të ndryshme ata ishin superiorë, por në përgjithësi dominuan ne. I humbëm vetë dy pikët. I përgëzova lojtarët për pjesën teknike dhe i kritikova ashpër për pjesën e disiplinës. Ndodh shpesh në futbollin tonë: lojtarë të veçantë u duket vetja se janë më të rëndësishëm se skuadra.

Për mua vlen grupi, e kam me Telushin. Ai është lider, por lejoi Pedro Augustën të godiste penalltinë, ndërkohë që kishim vendosur ndryshe. Është hera e dytë që ky lojtar e bën këtë, do mbajmë qëndrimin tonë. Nuk mund të luajë kush me mua. Trajneri nuk futet në fushë, por insistova. Atë nuk e bën djali im, jo më Telushi. Pedro është lojtar shumë i mirë, po ka karakter të brishtë. Pse u tërhoqëm pas golit? Nuk ishte direktiva ime të ktheheshim. Ishte edhe meritë e Dinamos që u tërhoqëm”.

Shkëmbi: “Kishim shumë mundësi për të shënuar, nuk ia kemi dalë. Kërkon guxim, cilësi dhe qetësi. Cilësitë i kanë lojtarët tanë dhe nuk kanë arritur që të konkretizojnë. Më pas edhe mund ta humbisnim ndeshjen pasi ishim të gjithë të hedhur përpara, na shpëtoi Bakaj. Nuk më pëlqen që t’i vendos nota ekipit për këtë fazë të parë, por sigurisht që jam i pakënaqur. Kemi shënuar pak gola dhe duhet të marrim maksimumin me lojtarët që kemi, në janar nuk do të jetë e thjeshtë që të gjenden lojtarët e duhur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *