“Nuk luajmë shpesh me Anglinë”, Duka kërkon tifozët: E donte edhe TKZ, “Air Albania” i plotëson kushtet

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar sot kërkesën drejtuar qeverisë për lejimin e 30% të tifozëve në ndeshjen e 28 marsit ndaj Anglisë, si edhe për situatën në të cilën ndodhet projekti i “100 fushave”, i cili duhet të realizohet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën që Federata Shqiptare e Futbollit i ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për të pasur tifozëve në stadium ndaj anglezëve, presidenti Duka u shpreh i bindur se stadiumi i plotëson kushtet dhe theksoi se shpreson që të miratohet si kërkesë, pasi është e nevojshme për t’iu rikthyer jetës normale.

Ne kemi bërë kërkesë që ndeshja me Anglinë të luhet me 30% tifozë. Këtë e kemi bërë edhe publike, nuk e kemi bërë vetëm ne si Federatë, pa dyshim që e kanë bërë edhe tifozët, grupimi i Tifozave Kuq e Zi dhe grupime të tjera.

Vërtet shëndeti është i pari, por ne kemi bindjen dhe mbi këtë bazë e kemi bërë edhe kërkesën tonë , që stadiumi ‘Air Albania’ i plotëson të gjitha kushtet për të respektuar protokollin dhe për të mos pasur rrezik apo ekspozim ndaj pandemisë. Kjo tani i mbetet qeverisë, Komitetit Teknik apo Kryeministrit që të na e miratojë apo jo. Unë uroj shumë që ta miratojnë këtë kërkesë. Ne kemi shumë nevojë që të kthehemi në jetën normale, kemi nevojë sportivisht të kemi spektatorët, por realisht një ndeshje kundër Anglisë, nuk ndodh shumë shpesh për Shqipërinë. Kështu që të mundohemi maksimalisht që ta shfrytëzojmë këtë rast për t’i kënaqur spektatorët tanë me aq sa mundemi dhe t’i bëjmë ata që të kthehen në jetën normale”, – tha presidenti Duka. 

I pyetur nëse e shikon komunitetin shqiptar si faktor në UEFA, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u përgjigj se në UEFA interesat janë të përbashkëta për të mirën e futbollit.

Ne nuk i ndajmë në shqiptarë, francezë apo spanjollë. Ne jemi pjesë e të njëjtës organizatë, e cila quhet UEFA. Kemi interesa të përbashkëta të lojës, ashtu siç kemi edhe interesa të ndara. Kur flitet për interesat e Federatave që drejtojmë, është i ndarë, pavarësisht se Sejdini është shqiptar, por përfaqëson Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu edhe presidenti Gravina që përfaqëson Italinë. Por kur flitet për interesat madhore të lojës që ne përfaqësojmë, ne jemi solidarë, siç e tha edhe presidenti Gravina”.- theksoi Duka.

Më tej, presidenti i FSHF-së shprehu mbështetjen e tij për presidentin Gabriele Gravina në UEFA dhe e ri-uroi në rizgjedhjen e tij si president i Federatës Italiane.

Pa dyshim që do ta mbështes Presidentin Gravina dhe e kam për nder që e kam mbështetur, jo thjesht sepse është sot këtu, por sepse është një njeri që e meriton. E kam uruar jo vetëm në formë protokollare por e kam uruar me shpirt në rizgjedhjen e tij në krye të Federatës Italiane sepse ka bërë ndryshime dhe projekte zhvilluese për të ardhmen e futbollit italian, të cilat janë të prekshme. Pa dyshim që pandemia ka penguar edhe atje si në të gjithë Europën dhe Gravina është një person që mund ta ndihmojë shumë UEFA-n. Këtu nuk bëhet fjalë për interesat individuale, por besoj se një president i një Federate relativisht të madhe siç është Italia, nuk është se ka çfarë merr nga UEFA, por më shumë i jep UEFA-s. UEFA ka nevojë për persona të tillë.”– vijoi presidenti i FSHF-së.

Në fund, presidenti Duka u shpreh se ende nuk ka marrë mbështetje nga qeveria për projektin “100 fushat” dhe se do të vijojë ta kërkojë, në të mirë të futbollit shqiptar.

Akoma asgjë nga 100 fushat me qeverinë, por tani jemi përpara një fushate elektorale, nuk kemi pse ta ngacmojmë qeverinë. Pas fushate, me ata që do të jenë në pushtet, patjetër që do t’i rikthehemi dhe do të kërkojmë sa më shumë fusha. Çdo gjë që ne kemi kërkuar, nuk do pushojmë së kërkuari për të mirën e futbollit, pavarësisht nga ngjyrat apo simbolet politike”- përfundoi Duka.

Komentet e kreut të qeverisë së futbollit shqiptar u bënë gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini bënë në “Shtëpinë e Futbollit” dhe më pas në Bubq, teksa vizituan dhe inauguruan shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, rindërtim nga themelet me fondet e federatave dhe të dashamirësve të futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *