Futbolli pa tifozët humbet një pjesë shumë të madhe të shkëlqimit të tij. Që pas pandemisë së COVID-19, jo vetëm kampionati shqiptar, por të gjitha sportet mbarë botërore janë detyruar të mos kenë asnjë mbështetës në shkallët e stadiumit. Për donatorin e Vllaznisë, Alban Xhaferri tifozët duhet të rikthehen në fushë me patjetër. Në një intervistë për “Report TV”, ai i ka bërë një kerkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë që të lejojë rikthimin e përkrahësve të skuadrave në fushë.
“Shpresojmë që shumë shpejt të kthehen tifozët sepse futbolli pa ata është një si një dasmë pa dasmorë. Duhen të kthehen edhe në kushtet që ka ministria e shëndetësisë sepse shëndeti është i pari, por stadiumet tona duke pasur parash kapacitet i ofrojnë mundësitë për rikthimin e tyre. Përfitoj nga rasti për të bërë thirrje që në momentin që të fillojë kampionati tifozët të jenë në stadium,’’- u shpreh Xhaferri.
Vllaznia ka bërë një merkato mjaft aktive pasi vetëm gjatë periudhës së verës ka afruar 16 lojtarë. Për këtë arsye, donatori Xhaferri synon edhe titullin kampion me ekipin verior. “Skuadra është formatuar dhe është bërë e një niveli shumë të lartë. Unë e kam përsërit edhe më parë që nuk kemi frikë asnjë skuadër pavarësisht se çdo rival është për t’u vlerësuar maksimalisht sepse kampionati është i fortë. Ne nuk mund të përjashtojmë asnjë prej objektivave qoftë kampionati, kupa, apo pjesmarrja në Europë,’- u shpreh Alban Xhaferri. /Elio Hajdari-SportEkspres/