“Nuk ke shans të mbash presidentin larg”, rrëfimi i Gegës: Duhet kohë, na erdhën lojtarë që nuk luanin prej kohësh

Skënder Gega është rikthyer sërish në stolin e Kukësit pasi fitoi betejën me Covid-19. Verilindorët po gjejnë ritmin e duhur në kampionat pas hapit fals të hedhur në dy javët e para. Një analizë për skuadrën e tij vjen nga vetë Gega, i cili ka bërë një rrëfim 360 gradë për gazetaren Enxhi Biba në “Sport News” në “News 24”. Kreu i pankinës së Kukësit ka nisur që nga rindërtimi i ekipit, e ka vazhduar më pas me raporti ne tij me Gjicin si dhe betejën e jetës me pandeminë.

Rindërtimi i grupit

“Është e vërtetë, ka ikur 99% e ekipit. Janë vetëm 3 lojtar të grupit të shkuar. Kanë ikur lojtarë cilësorë për arsye të ndryshme. E rëndësishmja është që erdhën lojtarët dhe unë besoj që nga momenti i parë i kemi seleksionuar teknikisht, besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Por si çdo gjë e re, kërkon kohën e vetë“.

Marrëdhënia me Gjicin

“Presidentin Gjici unë e njoh prej kohësh. Kemi pasur 2 herë biseda për të bashkëpunuar, por për gjëra të vogla nuk kemi qenë dakort. Ndihem shumë mirë që kam zgjedhur Kukësin. Presidenti në fakt në prononcimet e kaluara ka pasur tonet, por është një biznesmen, është diçka që ka investuar dhe do të marri frutat. Të jem i sinqertë kam marrëdhënie të shkëlqyer me të. Nuk ke shans të mbash një president larg ekipit, por kur ka besim mes njëri-tjetrit gjërat lihen pak më të qeta. Kështu që asnjë lloj presioni, ka qenë pozitiv në çdo moment. Edhe pas 2 humbjeve të para, ku në Shqipëri u bë pak më tepër seç duhet, e kemi marrë me qetësi. Ndryshimi u bë shumë shpejt“.

Covid-19

“Të jem i sinqertë, e prita siç e presin gjithë të tjerët. Pata disa shenja shumë të vogla. U largova nga ekipi për ta ruajtur. Nuk thoja në mes të ekipit të mos hidhja gjithçka poshtë. Nuk kisha shenja që të më bënin të trembesha, por gradualisht u përkeqësova. Një moment vendosëm bashkë me familjen, pasi ishte edhe bashkëshortja me të njëjtat simptoma, të largoheshim. Për fatin tonë, për mbështetjen dhe për kujdesin që ata treguan e kaluam dhe jam i lumtur. Por më vjen keq që vazhdon të jetë mes nesh dhe çdo kujt i them të mos e nënvlerësojë. Kur kalon një situatë të tillë ke shumë arsye për të reflektuar. Unë pata mbështetje. Kur sheh mijëra njerëz që nuk ke pasur marrëdhënie direkte, por thjesht dashamirësi, të bën të ndihesh për mrekulli. Nuk është thjesht sporti, por ana njerëzore. Do të doja t’i njihja të gjithë nga afër“.

Titulli kampion

“Janë edhe 3 faza të tjera. Ka qenë një grup i ri komplet. Një pjesë e madhe e lojtarëve kanë ardhur pa luajtur prej shumë kohësh futboll. U desh kohë. Fakti tregoi se nuk kemi qenë gati 2 ndeshjet e para. Tani jemi korrigjaur. Nuk jemi akoma aty ku dëshirojmë, por javët kanë qenë pozitive. Do mundohemi të nxjerrim mësime nga dy ndeshjet e para“.

Pretendentët për titull?

“Do të dëshiroja ta dija dhe pa asnjë ngurim do e tregoja. Në futboll, aq më tepër në këtë sistem me 4 faza, peshoj nga ajo që është e vërteta. Është një kampionat shumë i ngjeshur dhe i vështirë. Fituam me Korçën, por në fakt ata kanë bërë ndeshje shumë të mira dhe u kanë marrë pikë ekipeve pretendente. Po ashtu edhe Ballshi. Unë mendoj se çdo ndeshjeje duhet t’i marrësh maksimumin, jo vetëm Tiranës që është pretendente dhe kampion, jo vetëm Partizanit që është ish-kampion“.

Kontrata me Kukësin

“Unë kam një kontratë një vjeçare me Kukësin, me të drejtë rinovimi. Uroj dhe shpresoj t’ja dalim sa më mirë dhe të realizojmë ato objektiva, se nuk janë sekret. Por ajo periudhë është shumë larg. Dua që të bëjmë mirë tani dhe pastaj të mendojmë për qershorin“.

Merkato e janarit

“Kemi nevojë për ndërhyrje. Jo çdo gjë është absolute. Dikush nuk është shfaqur mirë apo dikush nuk është angazhuar. Do i bëjmë një analizë pak më të gjatë. E kemi potencialin dhe mbështetjen, na është dhënë dorë e lirë. Kjo është shumë e rëndësishme. Në momentin që kemi propozuar klubit ose presidentit të nderit, nuk është vënë asnjë lloj limiti për lojtarët që deri këtu mund të shkojë. Por do të shikojmë ndeshjet që kemi dhe nëse marrim diçka pak më të mirë se këta që kemi në janar pse jo? Do të jetë një ndihmë tjetër. Është një kampionat i gjatë dhe i ngjeshur. Na duhet lojtarë, na duhet stol më i fuqishëm”, ka deklaruar Skënder Gega./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *