Klubi i Erzenit ia doli që pas humë vitesh të siguronte një biletë për në “Abissnet Superiore”. Por arritja e bërë nga trajneri dhe lojtarët në fushën e lojës është gati të flaket tutje nga kupola drejtuese. Skuadra nga Shijaku nuk mund të liçensohet për të qenë pjesë e 10 më të mirave të Shqipërisë, teksa aksionet zotërohen ende nga bashkia si dhe lojtarët kanë ende rroga të prapambetura. Trajneri i Erzenit, Nevil Dede, ka folur në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“ për këtë çështje, ku tregon se projekti ambicioz që e bindi të merrte drejtimin e ekipit po venitet. Dede shprehet se pas kësaj situate të krijuar, i ka humbur dëshira për të qendruar sërish në krye të pankinës së skuadrës nga Shijaku.
“Nuk vajta për një rrogë në Shijak dhe as që në momentin e parë ne do dilnim në Superiore. Por sepse një mik shumë i mirë i imi më prezantoi një projekt shumë ambicioz dhe shumë serioz, që do i shërbente mbi të gjitha qytetit, të rinjve të atij qyteti, fëmijëve të atij qyteti. Duam apo s’duam ne ta themi nuk kanë ndonjë gjë më të mirë apo më të bukur për të bërë, sidomos në këto qytetet e vogla. Tani ai projekt po venitet avash-avash. Jo pa shkak e thashë që janë në “hatlla“, në gjuhë popullore. Po venitet sepse askush nuk lëviz nga vendi.
Në dijeninë time bashkia dha një pjesë të parave apo të fondit që i duhej kësaj skuadre. Por duhej të bënte shumë-shumë më tepër. Brenda kuadrit ligjor duhet të paktën klubin dhe asetet t’ja jepte shoqatës, që ata t’i zhvillonin nëpërmjet edhe projekteve zhvilluese që bën FSHF-ja, ta çonin këtë klub përpara. Mbi të gjitha të ishte një klub i liçensuar, të paktën të kishin stadiumin e tyre të liçensuar. U harxhuan shumë energji, për mua pa sens, për të lu.ftuar Federatën, apo edhe Dukën, se sa të mendonin si të zhvillonin bashkëpunimin dhe të kishin një frymë pozitive dhe ta çonin përpara këtë klub.
Realisht unë sakrifikova një vit jete atje. E kam thënë me batutë në ndeshjen e fundit: “Erdha një vit më i vogël dhe kur mbaroi sezoni isha një vit më i madh, ndoshta edhe me ca thinja më shumë“. Më vjen shumë keq që ky projekt jo që ka ngelur në mes, por ka ngelur në ajër. Dhe kur ngel në ajër nuk ke asnjë bazament. Të vjen keq edhe për qytetin. Një pritje e gjatë që ata ta shikonin skuadrën e tyre në Superiore. Por edhe të shikonin disa idhuj atje, që fëmijët t’i kopjonin.
Më shumë se kaq nuk mund të them, sepse unë jam vetëm një trajner. Nuk vajta për rrogë atje. Vajta për një projekt të gjatë dhe ambicioz. Ka pasur problematika edhe për sezonin që kaloi. Problematika edhe financiare, që duhet t’i gjejnë ata burrat atje, sepse nuk më intereson shumë mua si trajner të them e ka fajin ky apo ai. Mua më intereson që kam bërë një kontratë me klubin Erzeni, që kishim një projekt ambicioz që mua të më bindte të shkoja atje. Por tani unë shoh që nuk kam asnjë dëshirë më për të pritur apo për të vazhduar të qendroj atje“, ka deklaruar Nevil Dede./Halit Delibashi-Sport Ekspres/