“Nuk kam dyshime, Shqipëria del e para në grup“, De Biazi bën krahasimin: Në kohën time shumica luanin në Zvicër, tani ka kualitet

Xhani De Biazi ka folur në prag të ndeshjes së Shqipërisë kundër Republikës Çeke, e cila do të luhet më 12 tetor duke nisur nga ora 20:45. Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi ka shprehur bindjen e tij të plotë se ekipi i Silvinjos do të jetë në Europian. De Biazi ka thënë për “Lajmi.net” se ndihet i lumtur për rezultatet e Shqipërisë në këto kualifikuese, por e ka të vështirë të bëjë një krahasim mes ekipit që ai drejtoi në Euro 2016 dhe këtij aktuali. Trajneri italian thekson se në kohën kur ai ishte në krye të kuqezinjve, pjesa më e madhe aktivizoheshin në kampionatin zviceran, ndërsa tashmë kualiteti është dukshëm më i lartë.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e Kombëtares shqiptare. Unë mbeta shqiptar jo vetëm për pasaportën, por për historinë e shkëlqyer që përjetuam të gjithë së bashku. Rezultatet nuk vijnë rastësist, bëhet shumë punë nga Federata dhe teknikët. Besoj dhe shpresoj që Kombëtarja shqiptare të jetë në Europianin e radhës në Gjermani. Në fakt, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ndeshja kyçe do të jetë me Çekinë, pasi rruga është e gjitha më e hapur me dy ndeshje kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe në shtëpi. Mendoj që Shqipëria ka gjithçka që duhet për të përfunduar e para në grup.

Nuk është e lehtë të krahasosh dy realitete, një i imi që shkoi në Euro 2016 dhe ai i sotmi. Skuadra aktuale ka më shumë lojtarë cilësorë dhe përvojë të rëndësishme ndërkombëtare në klube të mëdha. Besoj se ky është aspekti kryesor që i jep kualitet këtij ekipi. Ndërsa sa isha unë, kishte shumë pak lojtarë që luanin në klube të rëndësishme. Në fillim, vetëm Lorik Cana luante në Serinë A kur mbërrita në Shqipëri. Pas tij erdhën Elseid Hysaj dhe Etrit Berisha. Basha, i cili më pas mbërriti në Torino, por edhe disa të tjerë. Pjesa tjetër ishin lojtarë që luanin në kampionatin zviceran dhe asgjë më shumë”, ka deklaruar Xhani De Biazi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *