Torino ka gjetur gjuhën e përbashkët me portierin shqiptar, Samir Ujkanin, dhe me klubin e tij Rizespor sa i përket kontratës së tij. Gardiani dardan shkoi me huazim në radhët e skuadrës italiane këtë sezon, por marrëveshja mes palëve ishte e vlefshme deri në fund të këtij muaji. Situata e Covid-19 ka bërë që sezoni të mos përfundojë si normalisht, por ekipet do të duhet të luajnë edhe gjatë muajve të verës.
Në këto kushte Torino ka rinovuar me Ujkanin edhe për dy muaj të tjera, duke bërë që përshëndetja përfundimtare mes tyre të vijë në 31 gusht. Kështu ish-portieri i Kombëtares së Shqipërisë do të qendrojë deri në fund të verës në radhët e klubit italian, ku nuk ka bërë asnjë paraqitje që nga momenti kur është transferuar. Ujkani është në rolin e portierit të dytë, pasi katërkëndëshi i torinezëve mbrohet nga Sirigu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/