Sokol Cikalleshi është duke kaluar një formë të mirë me Koniasporin, atje ku po arrin që të realizojë në portën kundërshtare. Në një intervistë për Top Channel, futbollisti ka komentuar ndeshjet e Kombëtares.
“Duhet të kemi parasysh se ne gjithmonë problemin e kemi me skuadrat që janë nën nivelin tonë, prandaj Andorra është ajo ndeshje që ne duhet ta fitojmë patjetër, dhe presioni në këtë takim është i gjithi tek ne, ndërsa në ndeshjen me Anglinë nuk do të jetë presioni 100% tek ne edhe pse ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin.
E rëndësishme është që performancat tona individuale të jenë në shërbim të kombëtares kështu që mendoj se do të jetë luksi i trajnerit të zgjedhë për sulmin. Ne nuk e kemi pasur asnjëherë atë problem që po luan ky apo po luan ai, nëse do të luaj dikush tjetër në maj të sulmit do të jem unë i pari ai që do ta mbështes dhe e njëjta gjë do të ndodhi nëse do të luaj unë apo Manaj, apo Broja apo dikush tjetër”, tha futbollisti. /Sport Ekspres/