“Nuk ka ngelur njeri në mbrojtje pa falur gola”, trajneri i Dinamos është i dëshpëruar: Sinqerisht, nuk di sesi mund të rregullohet problemi…

Ndeshja në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Dinamos do të niste me polemika dhe me një fenomen në rrallë. Në sekondën e 47 do të ishte Krasniqi që bëri ndërhyrje “horror” si lojtari i fundit ndaj Bardhit, për t’u ndëshkuar me kartonin e kuq.

Ibrahimi realizoi një perlë nga goditja e dënimit për ta mbyllur pjesën e parë në 0-1. Teksa Jorgji vërshëlleu fundin e pjesës së parë, tifozët kanë goditur me sende të forta gjyqtarin. Për këtë arsye ndeshja nisi me 15 minuta me vonesë dhe rrezikohej mbyllja e saj në mënyrë të parakohshme.

Por fatmirësisht për Egnatian, kishte një tjetër shans dhe u vendos për vazhdimin e lojës. Në minutën e 56 Ademi përfitoi nga një gabim i rëndë i Samakes, teksa pasi u gjend përballë Simonit, nuk e kishte të vështirë për të dërguar topin në rrjetë. Në fundin e takimit, trajnerët janë shprehur për “Supersport”:

Shkëmbi: “Duhet të kishim bërë më shumë në pjesën e parë që të bënim golin e dytë. I zbatuam ato porosi që ishin caktuar, por për fat të keq vazhdojmë që të falim gola, në çdo ndeshje. Sinqerisht nuk di më si mund të rregullohet kjo punë pasi te linja e mbrojtjes nuk ka ngelur më lojtar pa gabuar.

Ramadani: “Nuk është gjë e vogël që të luash me një lojtar më pak se Dinamo. Nuk u vu re fare kjo gjë. Po tregonim kujdes që të mos pësonim golin e dytë se do të na kishte fikur fare. I komplimentoj djemtë për karakterin që treguan dhe na motivojnë ne më tepër si staf që të vazhdojmë më tutje. Kartoni i kuq për Krasniqin? Ishte faull i pastër. Në karrierën time nuk jam marrë kurrë me arbitrat dhe do ta drejtoj gishtin gjithmonë nga vetja. E kam mbledhur direkt stafin tim dhe i thashë se nuk më pëlqejnë ato lloj reagimesh ndaj arbitrave. I kam mbajtur një ligjeratë të shkurtër të gjithë stafit sesi duhet të sillemi. Hera e fundit kjo që ndodhi nga stafi im”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *