Një titull në dorë, 2-0 në avantazh në pushim, çfarë mund të shkojë keq? Gjithçka, nëse përballë ke një si Zhoze Murinjo, mjeshtër i taktikës, përveçse i lojërave të fjalëve.
Mançester Siti kishte shansin të festonte që sot titullin kampion dhe tifozët e donin me çdo kusht një festë pikërisht në derbi, si për të harruar katastrofën ndaj Liverpulit në mesjavë.
Vinsent Kompani shënoi i pari për Sitin dhe Gundogan 5 minuta më vonë shënoi golin e dytë. Gjithçka e mbyllur, pas 30 minutash, me shampanjën gati në pushimin e ndeshjes.
Por, jemi në Angli, aty janë të çmendur dhe ndeshjet nuk mbarojnë kurrë, mjafton të kujtojmë Milan-Liverpul në Stamboll një dekadë më parë.
Pol Pogba, njeriu më i diskutuar i sezonit te Junajtid, vendosi të bënte heroin, sepse në minutat 53 e 55 shënoi golat që rikthyen baraspeshën. Mançester Siti në tapet, si një boksier që nuk kishte llogaritur se ka shumë raunde deri në mbyllje të takimit.
Kris Smolling shfrytëzoi më së miri një goditje dënimi nga Aleksis Sançez, duke shënuar golin e fitores së pabesueshme në minutën e 69-të, ndërsa në fundin e takimit Siti pati shansin të barazonte, por goli nuk doli.
Titulli është ende pronë e Sitit, por festa u shty dhe në krahun e kuq të Mançesterit ishte një triumf i ëmbël.