Java e katërt e Superiores është mbyllur dhe janë mësuar të gjitha verdiktet. “Sport Ekspres” ju sjellë më poshtë edhe formacionin më të mirë, ku duket dallimi i lojtarëve të Tiranës, pas asaj fitore në kryendeshjen ndaj Skënderbeut me rezultatin 3-1.
Në portë nuk ka shumë diskutime, ku Stazhilla ka kryer shumë pritje të bukura për të mbajtur portën e paprekur, ndërsa kulmoi edhe me një mrekulli në minutat e fundit ndaj Partizanit. Sa i përket mbrojtjes, ajo rreshtohet me katër.
Hoxhallari ishte njeriu që ndihmoi së tepërmi në suksesin ndaj Skënderbeut, madje edhe duke tundur rrjetën. Malota nga krahu tjetër vazhdon të jetë një digë në mbrojtje, me shkodranët që nuk pësojnë edhe me 10 lojtarë. Një paraqitje pozitive edhe për Ignajtovic ndaj Partizanit, ndërsa veçohet edhe Ymeralilaj që arriti të ndalte Kristal Abazajn.
Sa i përket mesfushës, nuk ka shumë dyshime. Në të bën pjesë heroi i Luftëtarit me dy gola të shënuara, Realdo Fili, por edhe Limaj dhe Lushkaj që kanë shënuar përkatësisht me Kukësin dhe Laçin.
Redon Xhixha i ka ndihmuar shumë kurbinasit në aksionet sulmuese, duke qenë problem konstant për mbrojtjen e të kuqëve. Ndërkohë sulmi përmbyllet me Ngon dhe Cobbinah, që kanë shkëlqyer ndaj korçarëve. /Sport Ekspres/