Ndryshimet vijnë te Vllaznia kur mbetemi në pritje të nisjes së Superiores pas afrimit mes palëve të Ligës Profesioniste dhe të deleguarve të Qeverisë, për plotësimin e katër pikave që vijnë si kërkesë. Suad Lici ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij te shkodranët, duke lëvizur disi ujërat dhe ku u krijua përshtypja se një vendim i tillë ishte marrë për shkakun e mënjanimit pas ndryshimit të strukturës.
Ndërkohë në një prononcim të shkurtër për “Report TV”, Suad Lici i ka hedhur poshtë këto zëra. Arsyen e largimit nga Vllaznia e ka cilësuar si personale, ndërsa vendimi është marrë rreth tre javë më parë.
“Prej 3 javësh kam dhënë dorëheqjen dhe për shkak të procedurave jam larguar së fundmi. Nuk ka asnjë prapaskenë, por jam larguar për arsyet e mia personale. Pavarësisht kësaj unë do të vijoj të mbetem pjesë e Vllaznisë edhe në vijim, por jo më në postin e administratorit”, u shpreh Lici. /Sport Ekspres/