“Nuk jemi në luftë”, trajneri i Bullgarisë vlerëson kuqezinjtë: Do kemi përballë një ekip serioz si Shqipëria

Shqipëria do të luajë ditën e nesërme kundër Bullgarisë në “Air Albania”, duke nisur nga ora 18:00. Trajneri i bullgarëve ka folur për mediat në prag të kësaj ndeshjeje. Krstajiçi është shprehur se nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur këtë takim. Trajneri serb ka thënë se përballë do të jetë një ekip serioz si Shqipëria, ndërsa shton se presioni për rezultatet negative të kohëve të fundit duhet të bjerë mbi të dhe jo mbi lojtarët.

“Është e vërtetë që kemi pasur pak kohë, pasi janë vetëm 2 ditë nga ndeshja e fundit. E kemi bërë analizën e ndeshjes së fundit dhe asaj çka nuk shkoi, kemi motivuar lojtarët për këtë sfidë që na pret dhe besoj se jemi gati. Nuk jemi në luftë, jemi në një ndeshje ku ne do të kërkojmë të kemi sukses. Duhet të kemi parasysh që përballë kemi një ekip serioz si Shqipëria.

Nuk duhet të ushtroni presion mbi lojtarët, presioni më takon vetëm mua. Ata do të bëjnë maksimumin duke punuar maksimalisht e duke zbatuar atë çka u kërkohet. Kemi pak kohë që jemi riformuar, por ne do të bëjmë maksimumin tonë, ndaj duhet të prisni ndeshjen me Shqipërinë, për të parë se çdo të prodhojë fusha”, ka deklaruar Mladen Krstajiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *