“Nuk jemi ende në Europian”! E pyesin nëse Shqipëria mund të fitojë edhe Brazilin tani, Silvinjo i qeshur pas fitores: Merreni qetë…

Silvinjo, çfarë ke bërë?! Pyetja që të gjithë çojnë nëpërmendje pas mbrëmjes së sotme. Shqipëria ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm nën drejtimin e trajnerit brazilian, teksa sot ka shpartalluar atë që shihej si një nga ekipet favorite për të shkuar në Europian. Kuqezinjtë kanë mposhtur me shifrat e pastra 3-0 Republikën Çeke në “Air Albania”.

Jasir Asani ndezi tifozerinë shqiptare që në minutën e 9 të takimit. Ish-lojtari i Partizanit veproi njësoj si me Poloninë. Mori topin, hyri nga e djathta e sulmit drejt qendrës dhe shkarkoi të majtën e tij. Topi shkoi në rrjetë, duke shtangur çekët që në minutat e para. Kundështarët e shtyjnë topin në rrjetë në minutën e 39, por sfera ishte prekur me dorë dhe arbitri i tregon kartonin e dytë të verdhë. Çekia mbetet me 10 lojtarë, duke ia vështirësuar edhe më shumë punët vetes.

Shqipëria e rrit edhe më shumë ritmin në pjesën e dytë të takimit dhe kilometrat e vrapuara shpërblehen. Taulant Seferi shkund rrjetën dy herë (51’, 73’) dhe fikson shifrat në 3-0. Por fatin e tij nuk e pati Muja, i cili arriti të shënonte golin e tij të parë, por VAR-i i shuajti festën për pozicion jashtë loje. Shqipëria merr tre pikë dhe ruan kreun e renditjes, teksa vetëm 2 pikë e ndajnë nga Gjermania. Festa është e gjitha legjitime, shijoje Shqipëri. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Silvinjo: “Të mundim Brazilin? Merreni qetë(qesh). Ishte një ndeshje shumë e bukur. Cekia vinte këtu pa asnjë humbje, skuadër e fortë, fizike dhe shumë mirë e vendosur në fushë. Nuk ka mbaruar asgjë akoma, duhet të jemi të vetëdijshëm, nuk jemi ende në Europian. Në nëntor do të vendoset çdo gjë. Ne jemi një! Lojtarët e kanë kuptuar këtë gjë. Nuk jam i kënaqur me mënyrën sesi e menaxhuam ndeshjen kur ata u ndëshkuan me karton të kuq, duhej ta kontrollonim më mirë topin”.

Gjimshiti: “Nuk duhet të thoni që ishin çekët dobët, ishim ne mirë, mos e shikoni në atë mënyrë. Me Silvinjon kemi shumë vetbesim, ne e shohim rivalin në sy dhe i themi: “Sot do të mposht”. Nuk kemi më frikë. Shqipëria më ka borxh Europianin e 2016? Jo, Shqipëria nuk më ka borxh asgjë, madje i kam unë borxh Shqipërisë. Nuk dorëzohem kurrë, ky është karakteri që ma ka dhënë familja”.

Jasir Asani: “Kemi ardhur për një qëllim që në ditën e parë. Me këtë kualitet që kemi, me presidentin Duka, me stafin, do të shkojmë larg. Me këtë grup që kemi, jo vetëm Çekia, por edhe ndonjë Kombëtare tjetër le të vijë, prapë nuk na mund dot në Tiranë.

Ramadani: “Kjo është një natë e madhe. Ne nuk u futëm për barazim sot, për 0-0. E përqafova babin, ishte shumë i lumtur. Më tha se ka edhe një ndeshje të mbetur, më tha se nuk ka mbaruar akoma. Jemi shumë afër, kjo ishte natë e madhe. I thashë Ajetit dhe Gjimshitit që kur Shqipëria shkoi në Europian unë isha në Kosovë. Sot ishim shumë kompakt si ekip, nuk i lamë asgjë çekëve për të rrezikuar përveç atij goli me dorë.

Seferi: “Jam shumë i lumtur për fitoren, ishte fantastike para të gjithë shqiptarëve. Kishte kohë që nuk shënoja për Kombëtaren dhe erdhi në momentin e duhur. E di që shumica nuk ka besuar te unë, por ia shpërbleva trajnerit. Dhe unë jam një njeri i thjeshtë që shoh komentet, nuk kanë besuar te mua. Falenderoj trajnerin, Zotin dhe familjen time, por edhe këta tifozë që na mbështetën”.

Jasir Asani: “Kemi ardhur për një qëllim që në ditën e parë. Me këtë kualitet që kemi, me presidentin Duka, me stafin, do të shkojmë larg. Me këtë grup që kemi, jo vetëm Çekia, por edhe ndonjë Kombëtare tjetër le të vijë, prapë nuk na mund dot në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *