Nga Klaudio Ndreca
Gilman Lika ka ngritur shqetësimin e lojtarëve të Vllaznisë dhe ka folur vetëm para pak minutash në “Fan Zone”, përpara se të largohej me makinën private nga stërvitja. Futbollistët shkodran kanë zgjedhur që të bojkotojnë në këtë mënyrë përgatitjet e tyre për nisjen e Superiores pasi nuk janë paguar nga ana e klubit. Lika ka shtruar të gjitha problemet e ngritura edhe me administratorin Lici ku kërkohet marrja e pagës së këtyre muajve, por njëkohësisht edhe mbulimi i shpenzimeve për qeratë, ushqimin dhe dritat sa i përket lojtarëve të ardhur te Vllaznia.
“Ky nuk është një çështje këndvështrimi, por faktesh. Kanë kohë që nuk interesohen për ne, ja sot erdhën. Ushqimi pa paguar, qeratë nuk po paguhen për lojtarët, dritat po ashtu. Po futbolli është ky? Këtu nuk po flitet më për futboll. Kemi që 4 muaj pa u paguar.
Të zgjidhet problem i qerave dhe ushqimit për lojtarët e ardhur. Duhet që të paguhemi deri në maj, pastaj të flasim për qershorin dhe korrikun. Ky është një vendim që është marrë nga të gjithë lojtarët dhe nuk ka një kundër. Sot i është vënë kapaku. Bojkoti shkon derisa të gjendet një zgjidhje nuk vazhdohet më kështu. Në ekipet e tjera ka pasur ulje të rrogave në këto muaj, po jo të mos na japin fare. Janë 10 lojtarë të huaj që nuk kanë ku të ushqehen dhe ku të rrinë, nuk po e kërkojmë ne shkodranët”, ka thënë Lika. /Sport Ekspres/