“Nuk jam trajner i gazetarëve“, Egbo sqaron deklaratën për “BBC”: E nxorrën jashtë kontekstit, këtu është familja ime e dytë

Egbo ka ndezur debate dhe polemika me deklaratat e tij të fundit. Në një intervistë për “BBC“, trajneri nigerian ka prekur temën e rracizmit, duke rrëfyer ngjarjet personale në lidhje me këtë fenoment në Shqipëri. Nga hedhja e bananeve në fushë e deri te gjeste të ulta si pështyrja ishin ato që Egbo tregoi në intervistën e tij me median prestigjoze.

Por në prag të sfidës përmbyllëse të Superiores, Egbo sqaron në konferencën për shtyp se fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti. Sipas tij ngjarjet datojnë shumë vite më parë, ndërsa tashmë ndihet i respektuar dhe i mikpritur nga të gjithë shqiptarët. Egbo shton se nuk ka pasur synim të hapë polemkia dhe këtë diskutim e konsideron të mbyllur.

“Unë besoj që ajo pjesë është mbyllur. Ka pasur një keqkuptim, sepse unë kam 20 vjet në Shqipëri dhe kam thënë se 99% e shqiptarëve më kanë trajtuar si familjar. Këtu është familja ime e dytë. Këtë kam munduar të shpjegoj. Por ka portale dhe gazetarë që mund ta nxjerrin jashtë kontekstit. Ajo që kam thënë është thjesht një episod që ka ndodhur shumë kohë më parë. Nuk e kam thënë që është një gjë shumë e madhe. Mua më kanë trajtuar mirë dhe kam qenë i mirëpritur këtu me shqiptarë. Kam kaluar gjysmën e jetës këtu. Këtu është familja ime.

Ata që kanë bërë kështu, ndoshta kanë interesat e veta, pse e kanë nxjerrë jashtë kontekstit. Është diçka e mbyllur për mua. Kam shumë shokë këtu. Në çdo vend që kam qenë më kanë respektuar jashtë mase. Nuk e di pse e kanë hapur si polemika. Nuk jam njeri i polemikave. Më vjen keq, por nuk jam trajner i gazetarëve. Nuk hap polemika për gjërat që nuk janë të vërteta. Më vjen keq që disa njerëz e nxjerrin jashtë kontekstit për interesat e veta. Kaq mund të them. Shqiptarët më kanë suportuar, më kanë mbajtur mirë më kanë mirëpritur në këto 20 vite.

Çfarë ka ndodhur ka ndodhur dhe e kam harruar. Thjesht më kanë pyetur a ka pasur raste dhe unë e kam shpjeguar, ka pasur kështu jo tani por përpara. Hera e parë që kam ardhur këtu ka qenë ndryshe. Shqipëria ka qenë pak e mbyllur sa kishte rënë komunizmi dhe gjërat e tjera. Tani ka shumë ndryshime dhe nuk bëhet fjalë. Mund të kaloj në rrugë të bëjë çfarë të dua dhe asnjë nuk flet. Jam i mirëpritur kudo. Nuk e di pse e kanë nxjerrë disa njerëz jashtë kontekstit.

Deklarata e Olsi Ramës? Është mendimi i tij. Çdo njeri ka gojë për të dhënë mendimet e tij. Ai nuk është me ngjyrë. Kam dëgjuar edhe në studio të tjera që kanë thënë se shqiptarët janë më racizëm se grekët, serbët etj. Unë e kam kundërshtar dhe kam thënë që s’ka shanse që të jenë shqiptarët më racistë se këto vendet që janë përmendur. Unë e di çfarë kam folur dhe çfarë ndjej brenda. Çdo njeri mund të ketë mendimet e tij. Nuk kam gjë tjetër për të thënë. Është thjesht e mbyllur për mua. Nuk duhet të hapet më ky muhabet“, ka deklaruar Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/