“Nuk jam i kënaqur, prisja më shumë”, Gega nuk i fshihet objektivave: Dua titullin kampion

Tirana e nisi me një barazim sezonin e ri të “Abissnet Superiore“-s. Kukësi i Skënder Gegës arriti të ndalte kampionët në fuqi të Shqipërisë. Eridon Daci shënoi që pa nisur mirë ndeshja, por në pjesën e dytë Xhixha ktheu sërish baraspeshën. Në 20 minutat e fundit Kukësit iu desh të luante me një lojtar më pak, teksa Daci u ndëshkua me karton të kuq. Pas përfundimit të sfidës, Skënder Gega ka dhënë intervistën e tij për emisionin “TI BO GOL”.

“Mund të ishin të tre rezultatet. E filluam mirë dhe besoj se e kishim një llogjikë në fillim, duke parë edhe ekipin kundërshtar. Ekipi jonë është i ri dhe kjo është ndeshja e parë, akoma nuk jemi të plotë. Kam besim të plotë se gjërat do të shkojnë mirë. Unë prisja më shumë nga ekipi, sepse kemi punuar shumë fortë. U shfaqën shenja lodhjeje dhe kartoni i kuq na ndëshkoi më shumë.

Kartoni i kuq? Aksionin nuk e pashë, por me atë që më thanë djemtë ai kërkoi falje dhe besoj se ishte një dënim për ne. Ne kemi masat tona, rregullat tona, por ai është një djalë i ri. Luajti mirë, por më pas prishi gjithçka. Janë të rinj, por nga gabimet do të mësojnë.

Unë s’jam i kënaqur nga një pjesë e madhe të jem i sinqertë. Kur ke pritshmëri të madhe dhe nuk të japin atë që pret. Ne kemi lojtarë të mirë në mesfushë, por edhe epërsia numerike e Tiranës na vendosi në vështirësi. Megjithatë, edhe përpara kartonit të kuq duhet të kishim marrë më shumë përgjegjësi në mesin e fushës. Unë gjithsesi jam i bindur që kur kemi kualitet, kemi mundësi të përmirësohemi dhe mund të rregullohet.

Objektivi? Nuk është sekret. Çdo njeriu që vjen te Kukësi, gjëja e parë që i kërkohet është të marrë maksimumin. Unë nuk i fshihem asgjëje, dëshira është të shpallemi kampionë. Megjithatë, duke ecur e duke parë se ku jemi. Nga ndeshja në ndeshje gjërat do të menaxhohen dhe do të jemi më të qartë. Besoj se kemi mundësitë që të jemi aty ku pretendojmë”, ka thënë Skënder Gega./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *