Futbolli gjerman është rikthyer por këtë herë shumë ndryshe nga ai që jemi mësuar të shohim. Stadiumet janë të boshatisura dhe ndeshja ka humbur një pjesë të hijeshisë që vjen prej atmosferës, ndërsa lojtarët tashmë duhet të mësohen me rregullat e reja dhe të përmbajnë emocionet e tyre. Nuk ka dhënie duarsh apo festime në grup pas golit. Por ky është vetëm fillimi dhe jo të gjithë janë përshtatur këtë lloj të ri futbolli.
Në ndeshjen e parë pas pandemisë mes Hertës së Berlinit dhe Hofenheimit, lojtari i ekipit kryeqytetas u vu në qendër të kritikave për shkak të një momenti të kapur nga kamerat. Bojata kishte vendosur duart e tij në fytyrën e shokut të skuadrës, Marko Grujiç, ndërsa imazhet tregojnë se ishte duke e puthur. Por futbollisti belg tregon se nuk është ashtu siç duket në pamje, pasi thjesht ishte duke i dhënë një këshillë bashkë lojtarit të tij. Ndërkaq Bojata kërkon ndjesë për veprimin e tij dhe bën me dije se duhet të bëj kujdes tani e tutje me sjelljen në fushën e lojës.
“Nuk ishte as puthje dhe as festim. Kërkoj falje që kam vendosur duart e mia në fytyrën e Marko Grujiç. Po i jepja këshilla në atë moment. Ne padyshim që duhet të jemi të kujdesshëm tani që luajmë në këtë situatë. Duhet të përshtatemi në mënyrën se si luajmë apo se si festojmë”, ka thënë Dedrik Bojata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/