Të rinjtë e Lacios janë grumbulluar sot për të kryer vizitat mjekësore. Mes tyre ai që mungonte ishte Etien Tare. Djali i Igli Tares ka ndarë rrugët përfundimisht me klubin bardhekaltër. Kryeqytetasit nuk e shihnin si njeriun e duhur për të qenë pjesë e projektit të tyre, duke mos i rinovuar kështu kontratën që skadonte në fund të muajit të shkuar.
Etieni i ka dhënë lamtumirën Lacios dhe tani po sheh situatën për të ardhmen e tij. Një alternativë për të mbetet Seria C, ku ka skuadra që janë të gatshme ta afrojnë në organikën e tyre. Ndërkohë situata është e paqendrueshme edhe për Igli Taren, raportet e të cilit nuk janë më si më parë me Lotiton./Halit Delibashi-Sport Ekspres/