Shumë lojtarë të huaj i kanë pasur të hapura dyert e Superiores për të treguar veten dhe pse jo për të hedhur edhe hapin tjetër në karrierë. I tillë ka qenë edhe rasti i James Adeniyi, i cili ka provuar të veshë fanellën e disa ekipeve shqiptare, ndërsa tashmë ka mbyllur huazimin nga Kiriat Shmona në Izrael dhe do të kthehet te klubi që zotëron kartonin e tij, Kabala. Sulmuesi Nigerian më herët ka laujtur me Bylisin e Laçin në Shqipëri, teksa për dy vite ishte pjesë e klubit më të suksesshëm në Superiore dekadën e fundit, Skënderbeut.
Në një intervistë për “Fansat e Futbollit Shqiptar”, Adeniyi tregon se ende e ndjek Superioren edhe pse është larguar prej saj. Sipas tij Tirana e meriton kreun dhe do të luftojë deri në fund për titullin kampion. Vitet në Shqipëri i kanë lënë mbresa sulmuesit nigerian, i cili gjithashtu vlerëson faktin që vendi ynë i hapi derën drejt një karriere në futboll. Për këtë arsye Adeniyi është i gatshëm t’a shpërblejë në fushën e lojës me fanellë ne Kombëtares kuqezi, ftesës së të cilës do i përgjigjej me po.
Si ishte periudha e pademisë së Covid në shtetin ku ju luani në Izrael?
“Ishte një periudhë e keqe dhe e trishtuar për të gjithë botën dhe jo vetëm për Izraelin, sepse çdo gjë ndaloi dhe i bëri njerëzit të qëndronin për një kohë të gjatë në shtëpi”.
Si do ta përshkruanit sezonin tuaj të parë në kampionatin Izraelit? Dhe a do të riktheheni në verë në Azerbajxhan tek klubi i Qabalës e cila zotëron kartonin tuaj?
“E fillova shumë mirë sezonin, deri në momentet kur u lëndova dhe mu desh të qëndroja për shumë kohë jashtë fushave dhe faleminderit Zotit që jam përsëri në këmbë. Përsa i përket vijimit të karrierës sime nuk e di akoma se çfarë do bëhet, por unë kam kontratë edhe për një vit me ekipin tim në Azerbajxhan”.
A e keni ndjekur këtë sezon Superligën Shqiptare , çfarë mendimi keni për nivelin e kësaj lige dhe a e prisnit Tiranën kaq pranë fitimit të titullit?
“Po, unë e kam ndjekur dhe kampionati ishte vërtet i vështirë që nga fillimi i sezonit, deri në momentin kur Tirana nisi shkëputjen pasi mori shumë fitore radhazi në drejtimin e trajnerit Emmanuel Egbo dhe ata e meritojnë pozitën ku ndodhen dhe besoj se janë të gatshëm të vijojnë të luftojnë deri në fund për të qenë kampionë.
Në median e vendit tuaj keni deklaruar se ju keni dhe pasaportën Shqipëtare dhe jeni në pritje të një ftese dhe nga Kombëtarja e Shqipërisë, çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështjeje?
“Po, pata një intervistë me mediat në Nigeri duke thënë se unë jam gjithashtu një qytetar i Shqipërisë dhe nuk do të hezitoja nëse më ftojnë të luaj për ekipin e tyre kombëtar. Kam kaluar shumë vite të mira të karrierës sime në Shqipëri pasi ishte shteti i parë në Europë që më hapi dyert kështu që nuk do hezitoj të luaj për ju nëse e marrë një ftesë”, ka përfunduar James Adeniyi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/