Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në studion e emisionit “Wake Up” në Top Channel, ku u diskutua në lidhje me prioritetin madhor të Federatës, futbollin e femrave.
Presidenti Duka shpjegoi strategjinë e FSHF-së për 5 vitet e ardhshme dhe mënyrën se si do të mbështetet financiarisht futbolli i femrave në mënyrë që të masivizohet dhe të rritet pjesëmarrja e vajzave në këtë sport.
Ndër të tjera kreu i qeverisë së futbollit theksoi se një nga synimet kryesore është që futbolli të mos shihet më si një lojë mashkullore, por si një lojë kolektive, një lojë për të gjithë shoqërinë pa dallime gjinore.
– Kjo periudhë ndërprerjeje duket se ju ka ndihmuar ju për të ndërtuar një strategji 5-vjeçare që do të shtrihet nga viti 2020 deri në vitin 2025 dhe duket se i gjithë fokusi do të jetë te futbolli i femrave. Konkretisht, na thuaj pak më shumë se çfarë synon ky projekt?
– Në fakt, futbolli është lojë e bukur, por në shumë vende, ashtu si edhe në Shqipëri, njihet si lojë për meshkuj. Ajo që synojmë ne dhe e gjithë Europa është që ta bëjmë futbollin lojë për të gjithë shoqërinë dhe të mos kemi shumë diferenca gjinore.
Futbolli është i bukur, shqiptarët e duan dhe e gjithë shoqëria në tërësi e do këtë sport, por në disa vende të Europës dhe të botës akoma shihet si një lojë mashkullore. Synimi jonë është që ta bëjmë futbollin një lojë kolektive, një lojë për të gjithë shoqërinë pa dallime. Pikërisht për këtë, në një vend relativisht të vështirë në aspektin e mentalitetit, ne kemi bërë projekte dhe strategji për ta zhvilluar dhe për të afruar sa më shumë femra në futboll.
Vërtetë ne e kemi patur, le të themi prioritet, por gjithsesi nuk kemi orientuar buxhetet tona kryesisht te futbolli i femrave deri më sot. Pa një mbështetje financiare është e vështirë dhe në këtë lloj “lufte” dihet tashmë që FSHF është e vetme.
Ajo çka kemi vendosur në mënyrë të qartë është që ne kemi orientuar mbi 20% të buxhetit vjetor të Federatës për futbollin e femrave, që konsiston në pagesat direkte të të gjitha vajzave që luajnë futboll në nivelin profesionist në Shqipëri, në pagesa direkte të të gjithë trajnerëve edhe nëpër shkolla, jo vetëm në ekipet amatore, duke i furnizuar ato, duke i mbështetur me uniforma, me topa, me gjithçka tjetër. Sepse në nivelin shqiptar realisht jemi larg nivelit sportiv mashkullor me atë femëror, por ta afrojmë për të tentuar barazimin e nivelit me futbollin e meshkujve.
– Zoti Duka, kjo do të thotë që do të ketë një kosto financiare që do t’i kushtojë edhe Federatës?
– Vetëm për edicionin e ardhshëm është përcaktuar një buxhet afërsisht rreth 700-800 mijë euro vetëm për të paguar futbollistet dhe trajnerët. Përveç këtyre do të ketë edhe kosto të tjera, sepse siç thashë është mbi 20% të buxhetit të Federatës, por nuk do të jenë vetëm këto.
Do të jenë edhe kriteret e licencimit, që ne do të vendosim për futbollin e meshkujve për të kondicionuar zhvillimin e futbollit të femrave. Që do të thotë se një klub i Kategorisë Superiore pas dy edicionesh nuk mund të marrë pjesë në kampionatin shqiptar e as në kupat e Europës nëse nuk do të ketë një skuadër femrash. Kjo, por edhe disa kushte të tjera, që në një farë mënyre ta bëjmë të detyrueshëm, por jo vetëm kaq.
Ajo që duhet të bëjmë, sigurisht me ndihmën e të gjithë shoqërisë shqiptare, t’i bindim prindërit dhe vajzat që të afrohen me futbollin, sepse akoma jemi në një luftë me mentalitetin. Pra, një pjesë e vogël e shoqërisë shqiptare e pranon që vajzat luajnë futboll ose mund të them më shumë se gjysma nuk e pranon që vajzat luajnë futboll, por përveç kësaj ne duhet t’i krijojmë edhe kushte mbase më të mira sesa ato të djemve, sepse kuptohet janë më delikate femrat dhe kanë nevojë për kushte akomë më të mira, të cilat ne në projektet dhe strategjitë tona i kemi parashikuar që t’i realizojmë.
– Këto normalisht do të jenë një motivim i madh apo jo?
– Patjetër, vajzat e duan futbollin, vajzat e ndjekin futbollin dhe ne e kemi për detyrë t’i krijojmë kushte që ato ta luajnë futbollin dhe ashtu siç e duan edhe ta ushtrojnë futbollin. Duhet të luftojmë në të njëjtën kohë, dhe për këtë na duhet edhe ndihma juaj dhe e të gjithëve, të luftojmë me mentalitetin, që meshkujt nuk kanë më shumë të drejta se sa femrat, për më tepër për të luajtur futboll.
Madje, për mendimin tim femrat në shumë fusha janë edhe më të suksesshme se sa meshkujt.
– Dhe në fakt kampionati ka shkuar mirë, por ndoshta do të parashikohet të ristrukturohet kampionati kombëtar. Si do të ndikojë kjo në rritjen e cilësisë së futbollit femrave?
– Në fakt, nëse do të shohim javën e fundit treguesi më pozitiv i javës është pikërisht numri i madh i golave në kampionat, por nëse do ta shohim me një këndvështrim tjetër sportiv ka edhe ndeshje me diferencë të madhe golash. Që do të thotë se në kampionat ka skuadra me diferencë të madhe nivelesh. Kemi skuadra klubesh dhe skuadra të krijuara dhe të mbështetura në mënyrë amatoreske, nga shoqata, etj. Pikërisht për këtë arsye ne do të tentojmë që ta orientojmë futbollin e femrave në klubet e futbollit, që kanë më shumë mundësi organizative për ta bërë këtë një kampionat më kompetitiv, jo vetëm thjesht për të patur një kampionat dhe disa skuadra që luajnë, por për të qenë një garë më kompetitive. Aktualisht, kemi një diferencë kualiteti, pavarësisht se qoftë me klubet dhe qoftë me ekipin kombëtar ne kemi regjistruar rezultate pozitive.
Në edicionin e fundit Vllaznia u kualifikua deri në fazën e grupeve të Champions Legaue, bëri edhe një paraqitje shumë të mirë ekipi ynë kampion i edicionit të kaluar. Gjithashtu, edhe ekipi ynë kombëtar i femrave ka bërë hapa shumë të mëdha pozitivë përpara, por gjithsesi me këto masa që ne kemi marrë duke i krijuar kushte më të mira, duke i dhënë mbështetje financiare klubeve, duke i dhënë mbështetje financiare direkt trajnerëve, stafeve përkatëse, duke i dhënë mbështetje financiare futbollisteve vajza mendoj që do të kemi hapa pozitivë përpara.
– Imagjino të vijë një ditë kur të kemi një stadium kombëtar që mban emrin e një futbollisteje femër për shembull sa interesante do të ishte…
– Pse jo, ne kemi shembuj shumë të mirë. Një nga futbollistet më të mira të Europës është Fatmire Bajramaj, e cila ka luajtur me përfaqësuesen e Gjermanisë dhe është me origjinë shqiptare. Kështu që, pse të mos kemi elemente të tilla vajza, të cilat bëhen burim frymëzimi për vajzat e vogla. Sot ne kemi në ekipin tonë kombëtar ashtu si edhe në kampionatin kombëtar futbolliste shumë të mira, madje golashënuesja më e mirë e botës luan në kampionatin shqiptar dhe në Kombëtaren shqiptare. Kështu që këto mund të bëhen dhe do të bëhen burim frymëzimi për vajzat e vogla, që ato të mos thonë se duan të bëhen si Mesi apo Ronaldo, por të kenë idhuj vajzat tona që luajnë futboll.
– Ndërkohë flasim pak me shifra. Kur flasim për projekt, sigurisht ka kosto financiare. Sa do t’i kushtojë FSHF-së kjo strategji?
– Projekti fillon në edicionin e parë me një shifër afërsisht 1 milion euro, që do të thotë më shumë se sa 100 milionë lekë e që do të pasohet në të ardhmen edhe me shtim të financimit vit pas viti deri në momentin që futbolli i femrave të arrijë dhe të jetë produktiv dhe të mbajë veten. Sepse nuk është normale që gjatë gjithë kohës një sport apo çdo lloj aktiviteti të financohet në këtë mënyrë, por deri në momentin që do të mbajë veten do të vazhdojë të financohet nga FSHF për ta afruar atë me nivelin e futbollin të meshkujve.
– Zoti Duka është ky një prioritet që po i jepet femrave pikërisht edhe për shkak të kushtit të UEFA-s, që çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë ekipin e femrave?
– Jo, mund të plotësosh kriterin e licencimit në mënyrë formale, duke pasur një ekip për të qenë, por faktikisht ky është një prioritet i vendosur nga Federata e Futbollit. Futbolli i femrave dhe futbolli i fëmijëve, sepse ne kështu e mendojmë që duhet të jetë, jo sepse kështu na kërkohet që të jetë. Sepse ne e mendojmë që futbolli u takon të gjithëve, nuk u takon vetëm meshkujve. Pikërisht ka ardhur koha tashmë, sepse kuptohet ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi njëmijë e një halle, por ka ardhur koha, që një nga hallet kryesore apo një nga vëmendjet tona kryesore , prioriteti jonë kryesor duhet të jetë futbolli i femrave.
– Një prioritet shumë i rëndësishëm, një vëmendje e shtuar, për të ngritur në të gjitha nivelet e grupmoshave përsa i përket futbollit të femrave dhe për të mbështetur pikërisht këtë kategori të re, le të themi edhe pse ju keni kohë që keni nisur nga puna në mbështetje të tyre dhe në promovim, madje. Është disi e vonuar mendoni për realitetin tonë apo ishte momenti i duhur?
– Mund të them krahasimisht me Europën që jemi të vonuar, por duke parë nivelin e zhvillimit të Shqipërisë dhe nevoja që ka pasur çdo fushë e jetës në Shqipëri, por edhe futbolli, mendoj që jemi në kohën e duhur për ta filluar.
Nëse do ta fillonim këtë lloj mbështetje më parë do të ishte më mirë. Por mundësitë tona nuk kanë qenë për ta bërë këtë mbështetje qoftë edhe financiare më parë. Ne jemi dëshmitarë dhe jemi të përgjegjshëm, që pak vite më parë kishim një infrastrukturë shumë të dobët, qoftë dhe për futbollin e meshkujve dhe jo të shtonim dhe ekipet e femrave, kishim stadiume në nivele shumë të këqija.
Sot kemi stadiume akoma shumë më të mira dhe po vazhdojmë t’i përmirësojmë ato në bashkëpunim dhe me qeverinë. Dhe gjithashtu tani duhet një infrastrukturë akoma edhe më shumë. Unë e thashë, femrat duan vëmendje dhe kushte më të mira sesa meshkujt. Kështu që mendoj se jemi në kohën optimale për ta mbështetur këtë nismë, për ta zhvilluar futbollin e luajtur për vajzat dhe gratë në Shqipëri.
– Të gjithë kaluam një periudhë të vështirë, ashtu ndodhi edhe me futbollin, për shkak të pandemisë…
– Në fakt ne me vëmendje i shohim lajmet çdo ditë dhe kemi frikë. Ndonjëherë mendojmë se mos rikthehet. Shikoni fqinjin tonë Maqedoninë, që u rikthye te bllokimi dhe për mua ishte një ngjarje shumë e keqe, jo thjesht për futbollin, jo thjesht për sportin, por për të gjithë shoqërinë e Europës dhe më gjerë dhe për shoqërinë shqiptare akoma dhe më shumë.
Ne jemi një vend, mund ta themi një vend i varfër me një ekonomi të brishtë, që nuk mbajmë dot shumë ditë ndërprerje. Kështu që të ndërpresësh jetën, të ndërpresësh aktivitetin për më shumë se 60 ditë, kuptohet që është e dëmshme për gjithçka. Tani në sport është akoma më e dëmshme, sportivisht kryesisht sepse të ndërpresësh stërvitjen, që e mban akoma më shumë formën e sportistit se sa vetëm ndeshjet është një fakt i dëmshëm sportivisht.
Por gjithsesi, patjetër që është shumë e dëmshme edhe ekonomikisht, por ajo që është e rëndësishme për mua është se është e dëmshme sportivisht, është e dëmshme për karrierën e atyre që janë tashmë futbollistë profesionistë dhe karrierën e atyre fëmijëve, vajzave apo djemve që synojnë të bëhen profesionistë. Një ndërprerje për më shumë se 60 ditë po e ripërsëris, është shumë e dëmshme dhe do të duhet më shumë se një vit për t’u rikthyer në formën e mëparshme.
– Në 9 prill, në një deklaratë tuajën është shpallur paketa financiare e solidaritetit futbollistik, duke u dhënë dy paga të gjithë atyre që janë pjesë e futbollit. U tha po ashtu se FSHF do të merrte dhe kredi, cila është e vërteta?
– Atë që bëmë ne, faktikisht duhet ta kishte bërë qeveria, që të mbështeste futbollin siç mbështeti të gjitha shtresat e tjera gjatë kohës që u ndërpre çdo aktivitet, jo për fajin e qeverisë, por për fajin e pandemisë. Në të njëjtën mënyrë ndërpreu dhe aktivititetin futbollistik dhe të gjithë ata që nuk kishin të ardhura të tjera ekonomike për arsye të ndërprerjes së aktivitetit, siç ishin trajnerët e ekipit të moshave apo futbollistët profesionistë etj., duhet të kishin një mbështetje të minimumit jetik nga qeveria.
Nuk e kuptova vendimin absurd të qeverisë për ta përjashtuar sportin nga kjo mbështetje, sikur sporti nuk jeton si gjithë të tjerët dhe nuk kontribuon si gjithë të tjerët. Ju garantoj që të paktën pjesa e futbollit është një kontributor i mirë me taksat dhe është i formalizuar pothuajse. Nuk mund të themi 100%, sepse vetë ekonomia shqiptare nuk është plotësisht e formalizuar, por futbolli shqiptar është më i formalizuar sesa pjesa tjetër e ekonomisë. Nuk mund ta anashkalojmë. Në këto kushte ne morëm një vendim për të mbështetur të gjithë ata që punojnë në industrinë e futbollit me aq mundësi sa kishim.
Është e vërtetë që në atë kohë unë kam deklaruar se mund të marrim një kredi për ta mbështetur këtë paketë financiare, sepse ishte një buxhet i paparashikuar, pagesa e dy pagave që ne tashmë i kemi hedhur direkt në llogaritë e futbollistëve. Tani në fakt po mendojmë që të mos aplikojmë për kredi, por të mundohemi të kursejmë diçka vetë dhe ta kalojmë situatën. /Sport Ekspres/