“Nuk funksionoi asgjë”, Kolela i jep meritat kundërshtarit: Tirana e meritoi fitoren, pësuam gol të pabesueshëm

Derbi i kryqytetit ka përfunduar dhe festa i takon pjesë bardheblu të tij. Tirana ka mposhtur me rezultatin 0-2 Partizanin në një duel që pati gjithçka. Penallti e humbur për ekipin e Shehit, karton i kuq dhe dy gola të shënuar nga Xhixha. Tirana merr një fitore mjaft të vlefshme në “Air Albania”, ku triumfi vlen më shumë se sa vetëm tre pikë. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol” në “Oversport”.

Kolela (Partizani): “Nuk ka funskionuar absolutisht asgjë. Bëmë një pjesë të parë të keqe, edhe pse na shkoi mirë për faktin që Tirana mbeti me 10 lojtarë. Nuk bëmë atë që kishim punuar. Pjesën e dytë e nisëm më mirë. Por nuk shënuam. Ndoshta unë nuk kam qenë mjaftueshëm i bindur për lojtarët. Nëse ata shkojnë në fushën e lojës dhe bëjnë gjëra ndryshe nga ç’u kam thënë, atëherë ndoshta nuk e kam përgatitur unë mirë ndeshjen. Unë u kërkova që skuadra të ishte agresive në minutat e para të lojës, por ne ishim pak të ndrojtur.

Tirana e meritoi fitoren. Luajti me 10 lojtarë dhe bëri një ndeshje shumë të mirë. Po luanin me 10 lojtarë edhe kur ne duhet të shënonim golin e barazimit. Duhet të shënonim ne, por shënuan ata. Goli i dytë i Xhixhës? Kemi pësuar një gol të pabesueshëm. Lojtari ynë i fundit e kishte mundësinë për ta ndalur. Është një moment që do e analizojmë me qetësi. Mund të gabojë Rexhepi, ashtu siç mund të gabojnë lojtarë të tjerë të Partizanit. Ndeshjet humben prej gabimeve. Ne e kishim përgatitur ndeshjen në një mënyrë. Por hynë në ndeshje të ndrojtur, fëmijënor. Ndoshta unë nuk jam kuptuar siç duhet. Ndoshta është edhe çështje emocionale”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *