Paolo Dibala ka humbur vendin e titullarit te Juventusi, teksa që pas shërimit nga Covid-19 nuk ka arritur të dalë në fomrën e duhur në fushë. Megjithëse i përfolur shpesh për një largim nga Torino, drejtuesit e bardhezinjve janë punuar për rinovimin e kontratës.
Për këtë çështje ka folur vetë presidenti Andrea Anjeli, i cili në një event të organizuar nga “Tuttosport” është shprehur se argjentinasit i ka mbërritur një ofertë nga klubi që e rendit atë në 20 më të paguarit në Europë dhe tashmë mbetet të mësohet vetëm përgjigja e tij. Gjithashtu, kreu i “Zonjës së Vjetër“ shton se dëshira e Juventusit dhe e vetë lojtarit është që ta shohin në 5 më të mirët e kontinentit, por Dibala ende nuk gjendet në këtë pikë.
“Kam dëgjuar deklaratat, është pjesë e punës sime. E ndjeva me shumë kënaqësi dashurinë e tij për Juven, është një dashuri e ndërsjellë. Ne e shohim atë si kapitenin e së nesërmes. Elementi tjetër, unë e kuptoj që ai tashmë ka marrë një propozim që e vendos atë në mesin e njëzet lojtarëve më të paguar në Europë. Ne jemi duke pritur në mënyrë paqësore përgjigjen e tij, gjëja më e rëndësishme është që ai të përgjigjet në fushë. Të gjithë së bashku do të dëshironim që ai të bëhet një nga pesë lojtarët më të mirë në Europë, ai nuk është akoma dhe e di atë “, ka deklaruar Andrea Anjeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/