“Nuk është e lehtë për një lojtar nga Shqipëria të luajë në këto nivele”, Bare zbulon ngacmimet me lojtarët e Espanjolit

Shqipëria është grumbulluar sot në Barcelonë, ku do të zhvillojë përballjen miqësore kundër Spanjës. Një ndeshje e veçantë kjo për Keidi Baren, i cili është rritur si futbollist pikërisht në këtë shtet, në të cilin luan me fanellën e Espanjolit. Në një intervistë për “Supersport” me gazetarin Sokol Xhihani, mesfushori zbulon edhe ngacmimet me Raul De Tomas-in, i cili këtë herë do të zbresë në fushë si kundërshtar dhe jo si shok skuadre.

“Natyrisht është një emocion i madh për mua, pothuajse jam rritur në këtë vend dhe është e veçantë të luaj kundër Spanjës dhe më jep një emocion të veçantë”.

Ngacmim me Raul De Tomas-in? “Jo vetëm me Raul De Tomas, por edhe me trajnerin, apo lojtarët e tjerë kemi bërë disa ngacmime. Pavarësisht se në stërvitje e ruajmë Raul De Tomas, i kam thënë se në ndeshjen me kombëtaren nuk do ta ruaj si në stërvitje”.

Grumbullimi: “Kishim 3-4 muaj pa u grumbulluar jemi të kënaqur që jemi bashkë. Ne nuk e luajmë si miqësore këtë ndeshje, e trajtojmë si ndeshje zyrtare. Spanja ka shumë kualitet dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të arritur edhe një fitore. Janë dy ekipe me shumë kualitet dhe kemi treguar se mund të luajmë me skuadra të mëdha, këto ndeshje do të na tregojnë ku jemi”.

Goli i parë në La Liga me Espanjolin: “Ishte goli i parë në La Liga dhe ndjehem krenar se nuk është e lehtë për një lojtar nga Shqipëria të luaj në këto nivele. Që i vogël ëndrra ime ka qenë të luaj në Spanjë. Pavarësisht se në atë ndeshje ku realizova golin humbëm, për mua ngelet një gol unik”.

E mendon veten te Espanjoli për shumë kohë, apo je i hapur për oferta edhe jashtë Spanjës? “Ndihem shumë mirë dhe komod, tifozët dhe njerëzit te Espanyol më duan shumë dhe ma tregojnë çdo ndeshje. Tani jam shumë i kënaqur dhe mendjen e kam vetëm te Espanjoli”, u shpreh Keidi Bare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *