Tirana ka nisur përgatitjet për sezonin e ri që pritet ta gjejë më të angazhuar skuadrën kryeqytetase. Bardheblutë hyjnë në Superiore me kurorën e kampionit, të cilën do të përpiqen ta mbrojnë edhe këtë herë. Por përpos kësaj në lojë është edhe ëndrra europiane. Fati e dërgoi një këmbë larg grupeve të Europa League, teksa Tiranës tashmë i duhet vetëm të kalojë me sukses kundërshtarin e play off-it.
Në një deklaratë për mediat, trajneri Egbo ka komentuar mbi merkaton e klubit, ndërsa vëmendje ka marrë edhe shorti për Europën. Kreu i pankinës bardheblu nuk është aspak i shqetësuar për atë se çfarë mund të rezervojnë goglat, por shprehet se duhet të futen në fushë me një qëllim të vetëm, të bëjnë maksimumin për të prekur grupet.
“E rëndësishme është që ekipi po mbushet me lojtarë. Do të shohim në ditët në vazhdim të afruarit. Në këtë moment po kontrollojmë gjendjen fizike të tyre dhe më pas do të veprojmë. Në ndeshje do t’i ndjekim me kujdes. I kemi ndjekur edhe videot e tyre. Janë lojtarë të mirë apo ashtu duken, por është fusha ajo që flet me vepra. Në fund është e rëndësishme që jemi të plotë.
Shorti i play off-it? Nuk e pres me ankth shortin. Nuk kam as preferenca. Preferenca ime është që të futemi në fushë dhe të marrim maksimumin, pra të kualifikohemi duke dhënë 100 për qind, pavarësisht kundërshtarit. Nëse kualifikohemi në grupe, na duhen lojtarë cilësorë. Duhet të përballojmë si Europën ashtu edhe kampionatin. Në këtë prizëm merkatoja nuk është mbyllur. Do të shohim lojtarët që kemi nëse na duhen apo jo”, ka thënë Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/