Egnatia është finalistja e dytë e “final four”-it. Rrogozhinasve u ka mjaftuar një barazim 0-0 mbrëmjen e sotme për të kaluar me sukses në finale. Skuadra e Edlir Tetovës ka eliminuar në “Air Albania” Vllazninë, në një përballje që përfundoi me rrjeta të paprekura. Rrogozhinasve iu anulluan dy gola gjatë takimit. Fillimisht Zejnullahi shënoi një gol nga jashtë zone në pjesën e parë të lojës. Por festa ngriu shpejt. VAR-i ndërhyri dhe arbitri shkoi të shihte në monitor pamjet. Pas një prekjeje të topit me dorë, gjyqtari vendosi të anullonte golin.
Ndërkohë, në minutën e 78 ishte Montenegro ai që e dërgoi topin në rrjetë, por dukshëm kishim të bënim me një pozicion jashtë loje. Ndeshja përfundoi në baraspeshë 0-0, duke i dhënë biletën e finales Egnatias. Rrogozhinasit do të përballen me Partizanin më 26 maj, në një duel që do të përcaktojë fituesin e edicionit 2023/24 të “Abissnet Superiore”-s. Pas përfundimit të sfidës, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Malota (Egnatia): “Nuk e ndjemë presionin e Vllaznisë. Por ndjemë presionin e vendit të parë. Ishim gjatë gjitë kohës në vendin e parë dhe donim të fitonim sot. Nuk i frikësohemi Partizanit, e kemi treguar edhe në kampionat. Në fund çdo ekip do hidhet në sulm për të shënuar gol. Me rastet që patëm sot, nuk mendoj që na ka dominuar Vllaznia. Patëm raste më të mira. Kam dyshimet e mia te goli, nuk vura re devijim me dorë. Sa i përket ndeshjes me Partizanin, finalja është gjë tjetër. Është një ndeshje që të gjithë e ëndërrojnë të luajnë. E kemi humbur një finale me Partizanin, të cilën e kemi dominuar. Normale që vlen më shumë përvoja në këto ndeshje. Po të flasim për peshë fanelle, Partizani është favorit, sepse luan në Tiranë dhe do të ketë më shumë tifozë. Por përvoja jonë na ndihmon”.
Brdariç (Vllaznia): “Sot nuk shënuam. Nisja ishte e keqe. Luajtëm me një lojtar më pak për disa minuta. Fillimi nuk mund të ishte më i keq. Ne donim të shënonim në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndryshuam pak. Provuam të kishim lojtarë të freksët në fushë për të shënuar. Na duhej të shënomin. Por në fund të ditës, 0-0 nuk ishte e mjaftueshme. Duhet ta përgëzojmë Egnatian. E merituan të shkonin në finale. Patëm 3-4 raste për të shënuar. Por kur nuk gjen portën… Në këto ndeshje 1-2 aksione vendosin ndeshjen. Pas ndeshjes nuk dua të gjej justifikime. Ekipi ishte i përgatitur mirë për sot. Patëm shumë probleme sot, në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë. Nga njëra anë, duhet të shohim veten tonë. Nëse duam të luajmë, duhet të luajmë shumë mirë. Sot nuk mjaftoi. Ne mund të bëjmë më mirë. Të gjithë ishin gati, nuk patëm dëmtime. Kush e fiton kampionatin? Nuk ka asnjë rëndësi për mua. Më besoni, jam i përqendruar te ekipi im. Nuk kam asnjë ide se cili do ta fitojë. Tani e kam mendjen pak bosh”.
Tetova (Egnatia): “Ne e kishim përgatitur ndeshjen për ta sulmuar Vllazninë. Ndonjëherë dy rezultatet që ke në favor të kthehen mbrapsht. Në 20 minutat e dyta të pjesës së parë i kërkova skuadrës që nuk kemi përse nxitojmë te qarkullimi i topit. Shkodra nuk po na vinte në presion. Por doza e emocionit është e fortë në këto lloj ndeshjesh. Nuk kem hyrë fare me presion në këtë 90 minutësh. I kam kërkuar çunave që vetëm të luajnë për t’u argëtuar. Me Partizanin do të jetë një finale e bukur për t’u shijuar nga të gjithë. Nuk pata shpërthim emocional pas kualifikimit? Shpresoj që të gëzoj në finale. Nuk morëm trofe sot”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/