Kristiano Ronaldo ka marrë shumë kritika në përballjen e djeshme, atje ku Juventusi humbi finalen ndaj Napolit. Ekipi i Gatuzos do e ngrinte Kupën e Italisë pasi u treguan më të saktë nga “ruleta ruse”, ndërsa nga ana e bardhezinjëve gabuan Dibala dhe Danilo.
Sulmuesi portugez kishte gjithë vëmendjen në këtë finale, por në asnjë moment nuk arriti që të bënte diferencën. Motra e tij, Elma, ka menduar që të gjithë përgjegjësinë t’ia kalojë trajnerit të Juventusit, Sarrit, duke i dalë në këtë mënyrë në mbrojtje Kristiano Ronaldos.
“Unë nuk e di se çfarë mund të bëhej tjetër. Kjo ishte e gjitha dhe një person i vetëm nuk realizon dot mrekulli. Unë nuk e kuptoj sesi mund të luhet në një mënyrë të tillë, gjithsesi. Luani im, ngrije kokën lart”, shkruan motra e Kristiano Ronaldos. /Sport Ekspres/