Kristiano Ronaldo është sot një nga figurat më të njohura të futbollit dhe numëron milionaa tifozë në mbarë globin. Suksesin e ka arritur me punë dhe ia ka dalë që nga varfëria dhe vështirësitë e fëmijërisë sot të jetë një nga më të paguarit në sport, duke bërë që fama, paratë dhe suksesi të mos i mungojnë aspak. Megjithatë ylli portugez nuk e harron të shkuarën e tij dhe njërëzit që i zgjatën dorën në momentet kur më tepër se kurrë i duhej mbështetje.
Në një intervistë për ITV, Ronaldo ka zbuluar edhe një episod nga periudha e hershme e karrierës së tij si futbollist. Sulmuesi i Juventusit ka zbuluar se ka qenë i uritur në adoleshencën e tij, kohë kur 3 punonjësit e McDonalds i dhuronin hamburger falas pas stërvitjes. Pranë stadiumit gjendej një dyqan McDonalds ku Ronaldo së bashku me disa shokë të skuadrës shkonin me shpresën për t’i falur ushqim. Tre prej punonjësve e kanë ndihmuar shpesh 5 herë fituesin e Topit të Artë, prandaj portugezi nuk i harron edhe sot e kësaj dite, teksa shprehet se po i kërkon dhe dëshiron t’i ftojë për të darkuar së bashku me ta në shtëpinë e tij.
“Ishim paksa të uritur. Kishim një McDonald’s afër stadiumit. Ne trokitëm në derë dhe pyetëm nëse kishin hamburger. Atje ishte gjithmonë Edna dhe dy vajza të tjera. Kurrë nuk i gjeta sërish. Kam pyetur njerëz në Portugali, por e kishin mbyllur McDonalds. Nëse kjo intervistë ndihmon për t’i gjetur do të isha shumë i lumtur. Dua t’i ftoj në Torino ose Lisbonë për të ardhur të darkojnë me mua sepse dua t’u kthej diçka mbrapsht”, ka thënë Kristiano Ronaldo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/