Nuk e grumbullon Benzemanë prej 5 vitesh në Kombëtare, Deshamp: Nuk do ia harroj kurrë ato fjalë

Karim Benzema prej 5 vitesh e ka mbyllur marrëdhënien e tij me Kombëtaren e Francës. Që pas atij konflikti me Valbuenan sulmuesi i Realit të Madridit nuk është thërritur më me trikolorët. Trajneri Deshamp asnjëherë nuk ka preferuar të japë shpjegime për mungesën e Benzemasë, ndërsa duket se fjalët e këtij të fundit mund të kenë nxitur teknikun e Francës për marrjen e këtij vendimi.

Deshamp ka dhënë një intervistë për “RTL”, ku tregon gjithë mllefin me Karim Benzema, për deklaratën e dhënë prej tij për “Marca”. Sulmuesi i “los blancos” do të shprehej se trajneri i trikolorëve nuk e grumbullon për shkak se ndikohet ka një pjesë rraciste e Francës. Këto fjalë sollën e edhe pasoja për 57-vjeçarin, teksa në shtëpinë e tij u gjendën grafiti ku akuzohej si rracist. Fjalët e Benzemasë kanë ngelur ende në mendjen e Deshamp, që shprehet se nuk do i harrojë kurrë.

“Është një vulë. Edhe nëse me kohën harrohet pak, nuk mund ta harroj. Nuk lidhet vetëm me Karim Benzema. Ka edhe deklarata nga njerëz të tjerë që çuan në këtë akt të dhunshëm që prek familjen time. Kur bëhet fjalë për mua, zgjedhjet e trajnerit, taktikat, aspekti teknik, është diçka normale dhe nuk ka rëndësi.

Por këtu kalohet një vijë. Ndikon në emrin tim, familjen time. Për mua, kjo është e papranueshme. Thënia e disa gjërave çon domosdoshmërisht në agresion verbal ose fizik. Vuaj pasojat. Ne nuk mund të harrojmë. Nuk mund ta harroj. Nuk do ta harroj kurrë ”, ka thënë Didier Deshamp./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *