“Nuk do të vinte prapë te Shqipëria”! A do të ndërronte zgjedhje nëse nuk do të kishte luajtur te Kosova? Krelani: Do që të sillet si një fëmijë i përkedhelur

Emisioni Koha Shtesë ka publikuar një tjetër puntatë kushtuar Kombëtares dhe legjionarëve tanë. Këtë herë e ftuar në emision ishte gazetarja e njohur sportive, Qeqa Krelani. Shumë tematika aktuale janë diskutuar me të rreth Shqipërisë, duke prekur edhe temën e legjionarëve. (Intervistën e plot me Qeqa Krelanin e gjeni në videon më poshtë).

“Të gjithë kemi krijuar kujtime të bukura me Armando Brojën, sesi e modernizoi Shqipërinë. Arriti që të bënte gola i vetëm. Por futbolli është sporti më i dënueshëm në botë, Broja është “plagosur”, është më shumë sesa një dëmtim, është “i plagosur”. Për fatin e keq u plagos edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Nuk do ta quaja skandal nëse Silvinjo nuk do ta ftonte për Europian, pavarësisht se jam radikale si gazetare.

Nuk e quaj skandal përderisa Broja nuk është në të njëjtën formë me lojtarët e tjerë që e dërguan Shqipërinë në Europian. Skandal do të ishte nëse Broja do të jetë në formë fantastike, nëse do të shënojë shumë gola dhe nuk ftohet. Atëherë po do ta quaja se ka diçka personale aty brenda. Nuk është e drejtë që të tjerë të kualifikojnë Shqipërinë dhe të vi dikush e t’i zërë vendin. Megjithë respektin e Brojës, të gjithë e duam kthimin e tij, pasi ka peshë të madhe dhe loja e tij është shumë artistike. Nëse doni të flas si tifoze, unë i jepja, sakrifikoja, tre sulmues vetëm për të marrë Brojën. Nëse do të flasim si gazetare, është tjetër gjë.

Silvinjo? Është në gjendje të jap shumë mbrojtës, të sakrifikojë shumë mbrojtës, vetëm që të ketë futbollist të krahut të majtë. Ishte i fiksuar pas sulmuesve dhe mbrojtësave të majtë, është i fiksuar pas këmbës së majtë. Më tha se zemrën e tij e fitojnë lojtarët që e bëjnë futbollin të duket i thjeshtë, po bëjnë gjëra të mëdha. Pashë për herë të parë në jetë një brazilian të disiplinuar. Është një shkollë e Guardiolës, e studion shumë Guardiolën. Duket edhe nga gjestet që bën, kur bën gol Shqipëria, nuk e ka mendjen te festa, por shkon të jap menjëherë instruksione te lojtari tjetër i Shqipërisë. Këto janë tipike gjestet e Guardiolës.

Nëse Zhegrova nuk do të kishte luajtur një minutë te Kosova tani, nuk do të kishte ardhur te Shqipëria prapë. Ai do të zgjidhte prapë Kosovën, që të ankohet dhe të sillet si një fëmijë i përkedhelur, pavarësisht se ka shumë potencial”, tha Krelani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *