Lorik Cana ka dhënë një intervistë për prestigjozen zvicerane Blick. Kapiteni legjendar i Kombëtares është pyetur sa i përket vazhdimit të tij në futboll në rolet drejtuese. Cana e ka bërë të qartë se nuk do të jetë trajner.
“Nuk e kam parë veten asnjëherë në rolin e trajnerit. Si drejtor sportiv po, e shoh veten, por nuk kam pasur një mundësi direkte”, tha Loriku.
Gjatë gjithë intervistës Cana përmendte zhvillimin që duhet bërë për Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo i bëri përshtypje gazetarit të Blick që e pyeti Canën nëse një ditë mund të vinte bashkimi ynë përderisa Loriku e trajtonte Shqipërinë dhe Kosovën si të ishin një trup i vetëm.
“Kjo është ajo që 90% e njerëzve në kombin tonë duan, mendoj. Ne nuk do të futemi në gjeopolitikë, por mendoj se kjo është ajo që shumë njerëz duan në planin afatgjatë. Jemi dy shtete të pavarura, të lira, që tashmë është shumë për ata që kanë ditur diçka tjetër. Pyetja është: çfarë duam të bëjmë me këtë liri? Ku po shkojmë? E ardhmja do të varet nga këto përgjigje. Dhe ajo që di është se ne mund të bëjmë një angazhim konkret”, tha Cana. /Sport Ekspres/