“Nuk do e harroj golin kundër Greqisë”, Armando Dobra rrëfehet në ngjyrat kuqezi: Idhulli im është Lionel Mesi

Armando Dobra i kanë mjaftuar vetëm pak minuta në debutimin e tij me Kombëtaren U-19 që t’i tregonte të gjithëve se kishte shumë talent dhe se ardhmja e tij mund të jetë e shkëlqyer. Mesfushori i lindur dhe rritur në Angli është një prej lojtarëve më premtues të gjeneratës së tij dhe aktualisht militon në radhët e Kombëtares U-21 të drejtuar nga Alban Bushi.

Edhe në dy ndeshjet e fundit të kuqezinjve ai ka spikatur me driblimet dhe pasimet e tij plot fantazi. Veçanërisht në fitoren e fundit 3-1 ndaj Andorrës paraqitja e tij ishte mjaft e mirë dhe nuk kaloi pa rënë në sy. Jo më kot klubi i tij Ipswich Town vendosi t’i ofronte një kontratë të re 5 muaj më parë, ndërkohë që lojtari grumbullohet rregullisht me ekipin e parë çdo ndeshje.

Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Dobra rrëfen rrugëtimin e tij në futboll dhe momente më kulminante të karrierës së tij. 19-vjeçari i ka idetë e qarta dhe shpreson që në të ardhmen të ngjitet në majat më të larta të futbollit, si në nivel klubesh ashtu edhe me Kombëtaren kuqezi.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Na trego diçka për hapat e tu të parë në futboll?

– Im atë ka qenë gjithmonë një tifoz i madh futbolli. Prej tij në fakt nisa ta pëlqej edhe unë futbollin qysh në moshë të vogël. Mbaj mend që shkonim shpesh në park dhe luanim bashkë me top që kur kam qenë 4-5 vjeç.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtaren U-21? Po te klubi si ndihesh, diçka për ecurinë me klubin?

– Mendoj se kemi një grup mjaft të mirë lojtarësh, jam ndjerë mirë duke filluar që nga dita e parë e grumbullimit. Kemi një grup shumë të talentuar dhe mendoj se mund të bëjmë gjëra të mirë bashkë. Gjithashtu, edhe trajneri Bushi më ka mbështetur shumë gjatë gjithë kohës, në seanca stërvitore dhe në ndeshje dhe më tregoi se donte shumë të isha pjesë e skuadrës së tij. Më ka ndihmuar shumë dhe i jam mirënjohës për këtë.

Sa i përket klubit, mendoj se jam paraqitur vazhdimisht mirë me Ipswich-in, kam luajtur me skuadrën e parë dhe kam shënuar gola madje para disa javësh. Shpresoj shumë që të vazhdoj të bëjë paraqitje sa më të mira edhe këtë sezon dhe të forcoj pozitat e mia në skuadër.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (flasim për U21 domethënë)

– Marrja e ftesës për të luajtur me ekipin Kombëtar U-21 të Shqipërisë ishte një ëndërr e bërë realitet. Jam ndjerë shumë krenar kur luajta ndeshjen e time të parë me ngjyrat kuqezi dhe do ta mbaj mend përgjithmonë atë ndjesi krenarie që përjetova.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– Po, i rishikoj gjithmonë ndeshjet e mia në mënyrë që të nxjerr konkluzione se çfarë mund të përmirësoj pas çdo ndeshjeje. Sepse duhet të përmirësohesh gjithmonë nëse do të arrish majat. Ka raste kur jam shumë kritik për veten, sepse dua të bëj gjithnjë më të mirën në fushë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaren dhe me klubin.

– Sa i përket klubit, ishte momenti kur shënova ndaj Luton në ndeshjen e debutimit. Nuk kishte ku të shkonte më mirë se kaq. Ishte fantastike të shënoja gol që në ndeshjen time të parë me Ipswich Town.

Ndërsa me Kombëtaren U-21, momenti më i bukur ishte kur shënova gola me ndaj Greqisë në ndeshje zyrtare për eliminatoret e Evropianit. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm krenarie për mua dhe nuk do ta harroj kurrë.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Sakrifica ime më e madhe ishte largimi nga familja për t’u transferuar në Ipswich. Ka qenë e vështirë për mua të jetoja larg shtëpisë time dhe familjes, por isha i vendosur për të ndjekur ëndrrën time dhe e mora pa u menduar gjatë këtë vendim.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im për të ardhmen që të bëhem një lojtar titullar i rregullt te Ipswich Town. Ëndërroj gjithmonë që të luaj një ditë në Premier Ligën angleze si edhe të debutoj me Kombëtaren A të Shqipërisë.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Unë nuk kam një idhull në Kombëtaren shqiptare për të qenë i sinqertë, por idhulli im në futboll është Lionel Messi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *