Lezhjani shkëlqen në 3000 metra dhe me 8’31″45 është i pari
Nga Novi Pazar, i dërguari i Sport Ekspres, Gjergj Vyshka
Novi Pazari dhe Serbia kane folur shqip. Pas Izmir Smajlajt, kampion Ballkani dhe kampion Europe në kërcim së gjati në sallat e mbyllura pas katër muajsh detyrojmë serbët të thonë emrin e Shqipërisë jo vetëm ne podium, por dhe gjate garës. E këtë e bëri David Nikolli, i pari në 3000 metra. Ka lënë pas bullgarin Popov me 8’32″85 dhe rumunin Korneski me 8’33″32. Të dy kundërshtarët kanë tentuar ta rrëzojnë, por shqiponja lezhjane ia ka dalë. Sapo ka përfunduar garën, të gjithë janë mbi të për ta uruar, sepse një medalje në Serbi vlen shumë, jashtëzakonisht shumë. Medaljen e artë e ka dorëzuar përgjegjësi i delegacionit të Shqipërisë, Juxhin Çili. Dhe e arta e Nikollit ishte justifikimi me i mirë i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Ballkaniadë. Shkurt, shqiponja Nikolli e bëri Novi Pazarin të flasë shqip dhe kjo nuk është pak…
Të bronztë në stafetë për djem
Jemi të bronztë edhe në stafetë 4×400 metra për djem. Daniel Limani, Florian Lata, Marko Makaj dhe Edison Muça kane bërë gjithçka mirë. Te tretët, pas Rumanisë dhe Serbisë, e kështu kemi marrë medaljen e dytë për të rritur. Në përgjithësi garë e mirë, ndërsa vitin e kemi mbyllur me dy të arta, një argjend dhe një Bronx. Që do të thotë se jemi në gjendje të bëjmë mirë kur duam. Izmir Smajlaj, David Nikolli, Ergys Gjecaj dhe kombëtarja e djemve në stafetë janë në librin e artë të Ballkaniadës. E vitin tjeter do të jemi më të fortë. E rëndësishme është se me Smajlajn, Nikollin, Limanin, Latën, Makajn dhe Muçën Serbia ka folur shqip sivjet.