Nga Klaudio Ndreca
Një mbrëmje tërësisht për t’u harruar ishte ajo e djeshmja për Shqipërinë e cila u mund në shifrat 0-1 nga Lituania. Kombëtarja modeste e cila kishte 4 vite pa arritur që të fitojë, e përmbush misionin e saj në “Air Albania”. Kuqezinjtë kishin menduar që të bënin disa ndryshime nga ndeshja e kaluar me Bjellorusinë, por Lituania përfiton nga gabimet e bëra në mesfushën tonë.
Makthi i këtyre 90 minutave për tifozët shqiptarë kanë qenë dy më të mirët e Kombëtares, të paktën sipas pritshmërive, Elseid Hysaj dhe Armando Sadiku. I pari tradhton Shqipërinë dhe nuk kupton përgjegjësinë, ndërsa i dyti…nuk ishte në fushë. Më poshtë gjeni edhe vlerësimet sipas “Sport Ekspres”.
Notat e Kombëtares
Strakosha (5)- “Mund të fajësohet vetëm nëse kthejmë kokën pas. Daljet mes pasigurive ndodhin shpeshherë dhe i kushtojnë Kombëtares me gola të pësuar. Por përgjatë 90 minutave të zhvilluara në “Air Albania” është ndër të paktët lojtarë të cilët e kalon klasën. E shpëton Shqipërinë në disa raste duke bërë detyrën e tij. Në “Air Albania” portieri i Lacios kishte humbur edhe pikën më të fortë të tij, lojën me këmbë. Disa gabime në nisje të topit që i jepnin mundësi kundërshtarit dhe fusnin në kaos mbrojtjen tonë, ku detyroheshin të ktheheshin edhe mesfushorët, për t’i konsumuar fizikisht në raste të panevojshme. Gjysmë note e ulur për këtë aspekt!
Hysaj (4)- “Fatmirësisht kapitenët mbajnë një shirit të verdhë në krahë. Pa të, mbrojtësi shkodran as që do të kuptohej se ishte udhëheqësi i Shqipërisë. Kalon nga të dy krahët e fushës dhe është një fotokopje “e shëmtuar” e vetvetes. Bie pre e kurthit të një kundërshtari modest me lojën e nervave, pavarësisht se ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare mbi supe. Kështu ndëshkohet me të verdhin e parë, për të braktisur Kombëtaren me të dytin të verdhë atëherë kur kishim nevojë më tepër për të shtuar forcën sulmuese. Tenton të luaj në sulm dhe t’i jap jetë aksioneve të Shqipërisë, por dështon thuajse në çdo pasim që jep. Nuk ka reagim perfekt dhe nuk merr rol heroi as në golin e pësuar, duke mos llogaritur kohën me lëvizjet. “Çuditërisht” Hysaj bëhet i vogël kundër Kombëtareve modeste dhe shndërrohet ndaj rivalëve më të mirë. Kjo tregon mendjemadhësinë! Nuk merr leksione nga rezultate të tilla, duhet të provojë pak edhe stolin. Shqipëria nuk ka Ronaldo dhe Elsi duhet të jetë i ndërgjegjshëm”.
Gjimshiti (5.5)- “Një ndeshje deri diku e mirë e mbrojtësit të Atalantës, që i sheh futbollistët kundërshtar më shpesh në zonën e tij sesa mesfushorët e Shqipërisë për të kërkuar topin. Në vetëm pak raste befasohet nga kundërshtari, duke qenë një shtyllë e rëndësishme përpara Strakoshës”.
Dërmaku (5): “Mbrojtësi gjigant nuk mund të bëj asgjë më tepër në prapavijë. Ndodhet aty për të mbuluar gabimet e shumta të mesfushorëve, ndërsa fatkeqësisht për të, muskujt nuk mund t’i përdori për të zbrazur nervat e atyre momenteve, pasi flitet për futboll”.
Mihaj (6): ”I vetmi lojtar që e bëri Shqipërinë të kuptonte dhe të shihte fytyrën e vërtetë, ose më saktësisht të asaj sesi duhej të ishte ndaj Lituanisë. Sidomos në 45 minutat e para duke treguar një siguri të madhe. E fiton lehtësisht çdo duel ndaj kundërshtarit, si të ishte një lojë fëmijësh për të. Me topin në zotërim ose në diskutim, gjithmonë fitues dilte Mihaj për t’ia zbehur tërësisht vlerat rivalëve që dukeshin shumë “të vegjël” në ato duele”.
Lorenc Trashi (5.5)- “Në disa raste arrin që të bëj diferencën duke pasur sigurinë e duhur në mbajtjen e topit. Por me skemën e Rejës, nuk arrin të bëj me sukses detyrën e caktuar. Nga Trashi priten shpërthimet në krahë dhe futjet në zonë, të cilat kërkojnë aftësi shtesë sulmuese që ky lojtar nuk i zotëron. Gabon pak në lojën e tij, por është shumë i lexueshëm për kundërshtarin, më pak për lojtarët e tjerë kuqezinjë. Shumica e krosimeve hidhen aty ku nuk gjendet asnjë futbollisti ynë.
Abrashi (4.5): “Një nga ndeshjet më të dobëta të Amir Abrashit. Nuk ishte mbrëmja e kuqezinjve dhe mesfushori ndodhet në hije. Tërësisht konfuz me veprimet e bëra, shumë më ndryshe nga performanca e treguar ndaj Bjellorusisë. Këtë herë i jep frymëmarrje kundërshtarit me faullat që shkakton dhe jo Kombëtares tonë. Tenton edhe ndonjë lëvizje për spektakël, kur vuajmë për goditjen e parë në portë”.
Laçi (5): “Në një Kombëtare që zhvillon ndeshjen e saj më të dobët të viteve të fundit, nuk mund të gjykosh kurrsesi një debutues. Pritshmëria e madhe ka edhe një efekt bumerang, ku fatkeqësisht për Qazimin, hera e parë do të vinte ndaj Lituanisë në humbjen 0-1. Gjysmë note e ka edhe për dëshirën me grintën e treguar. Disa pasime i jep të gabuara në mesfushë, duke u mposhtur nga emocionet e kësaj ndeshje të parë dhe për të mos lënë shijen e pritur tek tifozët. Ndoshta në një shans të dytë mund të shihet fytyra e vërtetë e këtij lojtari që në “Air Albania” nuk tregoi aftësitë e tij. Deri atëherë, duhet të presim”
Klaus Gjasula (5): “I pafajshëm edhe kur është fajtor!” Goli i vetëm i Lituanisë vjen prej gabimit të tij në kthimin e topit, por nuk fajësohet nga askush si shkaktari i humbjes. Kundërshtari i mbulon çdo lëvizje për ta bllokuar si pikën kyçe të Shqipërisë, ndërsa sikur të mos i mjaftonte dueli me lituanezët që zgjedhin shpeshherë të luajnë me nervat, nuk ka mbështetje në mesfushë as nga të tijët, për ta nervozuar më tepër. Ndien mungesën dhe sigurinë e Keidi Bares, për të formuar murin e pathyeshëm. Nuk ngel kurrë në klasë pasi është ndër të vetmit lojtar me këmbë në tokë. Thjeshtësia në lojë e shoqëron dhe në këtë leksion të mirë që na e dha Lituania, Gjasula nuk ka se çfarë mëson prej saj”.
Manaj (6): “Ndoshta shumë e kanë kritikuar përgjatë ndeshjes për mbajtjen e tepruar të topit në disa raste, por rezulton sulmuesi më i mirë i Kombëtares ndaj Lituanisë. Detyrohet të bëj edhe rolin e mesfushorit si të ishte duke u luajtur ndaj Francës, për ta marrë topin prej aty dhe për t’u nisur në sulm. Pritja e mrekullueshme e portierit kundërshtar i mohon mundësinë e barazimit nga goditja e dënimit, ndërsa është i vetmi që driblon në disa raste mbrojtësit e Lituanisë. Nuk ka saktësi deri në momentin e fundit, por i vetmi që shpëton nga kritikat”
Sadiku (4): “Nata për t’u harruar! Së bashku me Elsied Hysajn janë lojtarët më të dobët të Shqipërisë. Të luteshe që topi të mos mbërrinte në këmbët e tij. Ndoshta këtë nuk e kishim menduar kurrë, por ndaj Lituanisë gishtat duhej që të kryqëzoheshin që kjo të mos ndodhte. Stopime për t’u harruar, asnjë goditje në portë, pasime të gabuara dhe një lojë që meritonte ndëshkim edhe sikur të ishte në stërvitje. Sa herë topi mbërrinte në këmbët e Sadikut, pas vetëm disa sekondash do të gjendej te lojtarët e Lituanisë. Një makth i vërtetë, sikur një tifoz t’i kishte vjedhur fanellën dhe të kishte vendosur maskën me imazhin e tij në fytyrë për t’u futur në fushën e lojës në vendin e Armandos.
Reja (Pa notë): “Të thuash 4, mbetet sërish një vlerësim. Këtu po flasim për ndeshjen ndaj Lituanisë dhe e gjithë skema e këtij trajneri ishte një “minë” me sahat që shpërtheu në dorën e kuqezinjve. Këtu nuk bëhet shaka. Për të aktivizuar lojtarë të rinj duhet të tregosh gjithmonë kujdes, pasi nga pritshmëritë e mëdha, vijnë zhgënjime të po këtyre përmasave. Statistikat janë ato që flasin dhe Lituania ka marrë një fitore pas 4 vitesh. Na mund Kombëtarja që ndodhet në vendin e 131 në FIFA dhe më e keqja, pa vjedhur asgjë. Lituania largohet nga “Air Albania” me tre pikët e merituara dhe duke lënë një Shqipëri që ka zhvilluar ndeshjen më të dobët të viteve të fundit. Asnjë ide për lojën sulmuese dhe kthimit te krosimet që janë vetëm dëshpërimi në mungesën e logjikës. Kur gjithçka ka përfunduar, do të ishte mirë nëse bëhet fjalë për një nënvlerësim që ka shërbyer si leksion. /Sport Ekspres/