Notat e Shqipërisë/ Reja duhet të zgjedh mes skemës dhe Hysajt në stol! Fenomen i çuditshëm i Kumbullës me Gjimshitin, VËMENDJE për Ismajlin

Nga Klaudio Ndreca

Notat e Kombëtares

Etrit Berisha (5.5): “Etrit Berisha kthehet si titullar te Kombëtarja në mungesë të Strakoshës, po kalonte formë të jashtëzakonshme te Torino. Në minutat e para na vendos disi në kaos me daljet e tij të pasigurta, mes hezitimit dhe dëshirës për t’i lehtësuar punën mbrojtësave, por i shton një barrë më tepër. Fillimisht i falet zemërgjerësisë së arbitrit që jep një faull në zonë pas daljes jo të mirë duke lënë portën e boshatisur, por arbitri vërshëllen dhe Gjasula e largoi topin që po shkonte drejt rrjetës për t’u siguruar. Në minutën e 18 ka të gjithë duartrokitjet e mundshme pasi reagon në mënyrë të shpejtë ndaj Sigurdson për të na shpëtuar nga goli i parë. Asnjë peshë faji në pësimin e golit të Islandës dhe këtu mbyllet ndeshja për të”.

Marash Kumbulla (5.5): “Ndeshje jo e mirë kjo e Kumbullës. Shumëkush mund të thotë se ndikojnë minutat e pakëta te Roma, por Ardian Ismajli që nuk e ka parë fare fushën te Empoli, shkëlqeu ndaj Islandës. Pra, logjika nuk qëndron. Për më tepër që në rastin e Kumbullës ka një fenomen të çuditshëm. Kur bashkohet në mbrojtje me Gjimshitin dhe në letër jemi të pathyeshëm, shpeshherë mbrojtja jonë bën disa gabime fëmijnore, që edhe nëse nuk pësojmë, dhurojmë dhe rrezikojmë shumë. Këtu nis edhe fenomeni i çuditshëm i Kumbullës që ndeshjet më të mira te Kombëtarja, i ka në momentin kur nuk ka qenë Gjimshiti dhe kishte mbi shpatulla gjithë barrën e mbrojtjes. Pikërisht në atë fitore ndaj Hungarisë në transfertë me shifrat 0-1 kur Berati la lojën para kohe dhe në përballjen ndaj Polonisë në Air Albania, kur futi në xhep Robert Leëandoëski-n. Në çdo ndeshje tjetër kur i lehtësohet barra me Berat Gjimshitin që gaboi dje për herën e tij të parë, Kumbulla nuk jep sigurinë maksimale. Nga dueli i tij i humbur do të pësonim golin ndaj Islandës, por për fatin e keq nuk ishte i vetmi”.

Berat Gjimshiti (5): “A mund të gabojë Zoti? Mesa duket, po! I dhuron asistin lojtarit të Islandës për të na shënuar golin e vetëm, por “problemi më i madh” është se askush prej tifozëve nuk shfryn dot nervat e ndeshjes mbi Berat Gjimshitin. Nuk e ka lënë asnjëherë veten në këtë pikë, ka qenë i pagabueshëm dhe më i miri te Shqipëria për një sërë ndeshjesh me radhë. Kështu ishte edhe ndaj Islandës, duke fituar çdo duel me kundërshtarët, deri te ajo mungesa e përqendrimit që na ndëshkoi. Por Gjimshiti na ka shpëtuar kaq shumë herë sa nuk mund të fajësohet dot as në këtë rast”.

Ardian Ismajli (6.5):VËMENDJE! Është praktikisht mbrojtësi më i nënvlerësuar nga mediat në treshen tonë të qendër mbrojtjes. Mes emrave si Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti që luajnë te Roma dhe Atalanta, më i miri ndaj Islandës rezultoi Ardian Ismajli. Nuk humbi thuajse asnjë duel të vetëm në fushën e lojës. Theu shumë aksione të rrezikshme të Islandës. Për më tepër, te Empoli nuk është aktivizuar nga minuta e parë prej një kohe të gjatë. Shqipëria ka pësuar gjithmonë gol për faj të çdokujt nga lojtarët, por asnjëherë nga Ismajli. Ardiani është vërtet për t’u duartrokitur”.

Klaus Gjasula (5.5): “Ndeshja e tij është fytyra e Shqipërisë, me dy tablo. Në pjesën e parë mbizotëron mesfushën dhe dominon dukshëm kundërshtarët, nuk ndodh kështu në të dytën. Menjëherë pasi nis pjesa e dytë dhe Islanda nis të sulmojë, lojtarët e Shqipërisë fillojnë të bëjnë disa gabime që nuk mund të tolerohen duke i krijuar rrezik vetes. Në këto minuta të errëta për Kombëtaren tonë, fillon të gabojë edhe Gjasula, që jo vetëm nuk merr në kontroll situatën, por e komplikon atë. Megjithatë sërish duket që ka klas në kontrollin topit dhe bën gjithmonë një lëvizje që i del nga planet kundërshtarëve, nuk zgjedh të thjeshtën”.

Amir Abrashi (6.5): “Motori i mesfushës! Mes emrave të shumtë që luajnë në kampionatet më të mira në Europë, Amir Abrashi vazhdon që të jap leksione nga e kaluara. Në pjesën e parë ishte i papërmbajtshëm. Në krahë së bashku me Ivan Balliun, po e krijonin të gjithë lojën e Shqipërisë atje. Kundërshtarët nuk arritën dot t’i merrnin topin në asnjë moment, edhe kur e bënin, ishte atëherë kur Abrashi gjendej i shtrirë dhe arbitri kishte akorduar faull për Shqipërinë. Bie disi nga tempi me kalimin e minutave, por edhe atëherë duket që ka shpirtin e duhur luftarak për të nxjerrë nga vetja sa më shumë mundet dhe për të tejkaluar limitet”.

Ivan Balliu (6.5): “Super Balliu! Për të kuptuar saktësisht sesa keq ka performuar Hysajn në gjithë këto kohë në krahun e djathtë të mbrojtjes te Shqipëria, na duhej me patjetër Ivani. Të gjitha aksionet e rrezikshme të Kombëtares vijnë nga krahu i djathtë dhe kjo jo pa arsye. Krosimet e tij e kanë gjithmonë një destinacion të saktë dhe kanë rrezikshmërinë e duhur, të Hysajt përfundojnë në shumicën e rasteve pa adresë dhe janë vetëm një largim i kot i topit nga këmbët e tij në zonën kundërshtare. Balliu ka klasin e duhur për të dribluar kundërshtarët, mbron mirë dhe paraqet rrezikshmëri në gjithçka bën. E humb toruan në fundin e ndeshjes, arbitri ia kursen të kuqin”.

Elseid Hysaj (5): “Nuk po arrin kurrë që të ketë një ndeshje të nivelit të lartë te Shqipëria. Vlerësimet për Elseidin po përsëriten aq shumë herë sa tanimë po kthehen në të mërzitshme. Një gabim i tiji në pasimin e lehtë që kërkoi të jepte për Gjasulën kur e gjithë skuadra jonë ishte spostuar përpara, mund të na kushtonte shtrenjtë në fillim. Pas kësaj gafe të madhe, e kupton situatën dhe nis të luajë thjeshtë, duke mos bërë keq në fazën mbrojtëse. Gjithmonë bie në sy dhe gabon rëndë kur Hysaj kërkon të shpik driblime dhe të dalë përtej aftësive të tij. Në fazën sulmuese është “zero” për ndihmën që i jep ekipit. Krosimet që fut në zonë janë tërësisht pa adresë dhe përfundojnë shpeshherë në duart e portierit të Islandës. Kështu na shkojnë dëm shumë aksione të rrezikshme. Në momentet e kundërsulmit, gjithmonë pasimi i Hysajt është zgjedhja e gabuar. Por këtë problem e ka pasur edhe te Napoli në kohët më të arta, ku një asist i Elseidit në Serinë A ishte si të gjeje një pikë uji në shkretëtirë, për të mos thënë për gol të shënuar, pavarësisht se në futbollin modern, mbrojtësat realizojnë jo pak. Reja duhet të ndryshojë skemën ose të ul Hysajn në stol dhe të përshtas lojtar tjetër në vendin e tij, kështu nuk mund të vazhdohet. Elseidi na shpërdoron shumë topa në momentin kur ne sulmojmë pasi kjo që po i kërkohet është jashtë potencialit të tij, ka ndodhur që nga koha kur Reja ka mbërritur te Kombëtarja”.

Endri Çekiçi (5.5): “Gjithmonë e kemi thënë se nga Cekici presim shumë te Kombëtarja. Tifozët janë mësuar që të shohin nëpër lajme dhe televizone për super golat e tij dhe asistet e dhëna nëpër klubet ku luan në Europë, në kohë të ndryshme. Por ende asgjë nuk kemi parë nga këto te Kombëtarja. Pjesa e parë ndaj Islandës ishte ndoshta më e mira që ka bërë ndonjëherë Cekici te Shqipëria. Me mangësinë e madhe të Hysajt në krahun e majtë, të vetmet aksione të rrezikshme që vijnë prej andej, janë të Cekicit. Ka kontrollin e duhur të topit dhe shërben bukur shokët e ekipit. Pjesa e dytë ishte tërësisht për t’u harruar sa më shpejt dhe i ul të gjithë vlerësimin. Asgjë për t’u mbajtur mend, duhej të shihje me vëmendje fanellat për ta kuptuar që gjendej në fushë. Për më tepër që bën edhe dy gabime që për pak mund të rezultonin fatale duke i dhuruar kundërsulme të rrezikshme Islandës. Zhvilloi dy pjesë ekstreme me njëra-tjetrën”.

Taulant Seferi (5.5): “Autori i golit! Shumë pritshmëri kishte edhe për lojtarin më në formë të Superiores dhe Tiranës te Kombëtarja. Taulant Seferi arriti të shënonte golin e vetëm te Shqipëria. Për shumëkënd mund të duket i thjeshtë dhe t’i jepet më tepër atribute gabimit të portierit kundërshtar, por Seferi kishte nuhatjen e duhur për të përfituar menjëherë sapo pa që topi u grushtua keqazi. Nuhatja me portën ishte e mirë dhe kjo vihej re, për shkakun edhe të golave të shumtë të shënuar nga Tirana. Por pjesa tjetër ishte për t’u harruar, goli shpëtoi ndeshjen e Taulantit. Ndryshe nga driblimet e shumta dhe vallëzimet e bëra në Superiore, shpeshherë duke u tallur edhe me kundërshtarët, ndaj Islandës ishte histori tjetër. Asnjë driblim i kryer dhe në disa raste duke ngadalësuar aksionet sulmuese. Po zëvendësonte Armando Brojën dhe kishte përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Aplikon përafërsisht të njëjtën lojë si Sokol Cikalleshi dhe kjo e bën sulmin tonë të jetë i brishtë dhe pa befasi”.

Sokol Cikalleshi (5.5): “Duket pak në zonën kundërshtare, jo aq sa Taulant Seferi, por ushtron presing mbi kundërshtarët dhe tërhiqet më tepër për të marrë topin dhe për të nisur aksionet e rrezikshme te Shqipëria. I dalin me sukses të gjitha driblimet që provon, por nuk shërbehet për të treguar veten para portës kundërshtare. Në të vetmin rast që krijon vetë mes driblimeve, nuk preferon të godas, por e lë topin për Gjasulën. Tempi i bie me kalimin e minutave”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online