Shqipëria arriti që të fitonte me shifrat 3-1 në miqësoren kundër Azerbajxhanit. Më poshtë do të ndiqni vlerësimet për disa prej lojtarëve më interesant të këtij takimi dhe që kjo do ndeshje do të ishte një test i madh për ta.
Thomas Strakosha (6.5): “Një paraqitje e mirë për portierin kuqezi. Në disa momente bëhet heroi i Kombëtares, duke hequr disa goditje të rrezikshme që po shkonin në drejtim të portës tonë. Ka reagim të shpejt dhe në dukje, premton siguri të madhe. Megjithatë diçka nuk shkon me sigurinë e madhe dhe vetëbesimin e tepruar që e shoqëron ndonjëherë Strakoshën. Ka disa raste që merr një vendim pa e menduar shumë gjatë. Përshembull, në topin e gabuar që Ramadani ktheu në portë, Strakosha qëndron shumë i ftohtë dhe kërkon të ndërhyjë në mënyrë spektakolare, si të ishte një ndeshje miqësore me klubin e tij”.
Elseid Hysajn (5.5): “Të kritikosh Hysajn është gjëja më e lehtë, ndodh shpesh te Shqipëria, më pak në kohën e Silvinjos. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se në vendin e tij kemi Ivan Balliun, shumë e quajnë një lojtar të La Liga-s, por në aspektin mbrojtës ka çaluar ndjeshëm te Shqipëria sa herë që i është dhënë mundësia. Në ndeshjen kundër Azerbajxhanit, Hysaj tregon saktësisht problemin e tij më të madh. Në momentin që luan lirshëm dhe pa presion, pa i menduar dy herë lëvizjet e tij, Hysaj djallos gjithçka. I njëjti problem me Strakoshën, kur ka vetëbesimin e madh dhe lirinë, shfaq skena jo fort të bukura për t’u parë në një ndeshje të Kombëtares. Në momentin që i shtrëngohet rripi dhe ndien gjithë përgjegjësinë mbi supe për të mos bërë gabim, pasi shikon me lupë, Hysaj kthehet në normalitet dhe bën mirë detyrën, të paktën në epokën e Silvinjos. Të jeni të bindur se do të jetë një tjetër lojtar me Italinë)
Nedim Bajrami (7.5): “Është fitorja më e madhe e Shqipërisë në këto dy takime miqësore. Shumë frikë dhe dyshime kishte për të, ishte lojtari kryesor i arritjes në Europian, por pas mosaktivizimit te Sasuolo, u mendua se do të ishte i tjetërsuar. Madje shumë llogarisnin edhe Ernest Mucin në vendin e tij. I shkëlqyer ndaj Lihtshtejnit, i shkëlqyer edhe ndaj Azerbajxhanit, lojtari më i mirë i Shqipërisë, duket se nuk do të ketë asnjë shans për Mucin, të paktën që të marrë vendin e Bajramit. Elegancë, klas, volum, produktivitet, pra kalibër tjetër).
Kristjan Asllani (7): “Puna që bën Asllani, në shumë ndeshje kalon pa u vënë re. Por një lojtar i tillë i ka munguar gjithmonë Shqipërisë në historinë e saj, është i pazëvendësueshëm. Edhe ndaj Azerbajxhanit u vu re puna e padukshme e Asllanit, që është për notën 10. Ka shumë momente kur lojtarët kundërshtarë e rrethojnë në zonën e Shqipërisë mes presionit të madh, shpesh 2-3 futbollistë. Gjithmonë në raste të tilla, dikur lojtarët tanë hiqnin topa nga zona me sa fuqi të mundeshin dhe ia dhuronin kundërshtarit. Por Asllani ka guxim që të vazhdojë me topin në zotërim, të kryejë disa lëvizje që janë mashtruese për kundërshtarët dhe në fund topi të dalë te shoku i tij i ekipit).
Rei Manaj (6): “Paraqitjen e tij kundër Azerbajxhanit, nuk e shpëton as goli i shënuar. Vjen me bujën e madhe të golave të pafundmë që ka realizuar te Sivaspori, si një lojtar i kalibrit tjetër, por ky Rei Manaj i këtyre miqësoreve, është edhe më i dobët se Manaj i parë te Shqipëria. Nëse paraqitja e tij skandaloze kundër Kilit u justifikua me faktin se Shqipëria ishte e gjitha jashtë loje në atë takim, nëse humbjet e shumta të topit dhe paqartësia e madhe kundër Lihtshtejnit, duke gabuar në çdo moment, u justifikua me minutat e pakëta dhe dëshirën për të bërë mirë, këtë herë 3 ndeshje janë shumë. Një gol i shënuar edhe me shumë fat, pas një devijimi të mbrojtësit kundërshtar dhe ndryshimi i trajektores së topit, nuk të mbush fare me shpresë. Ka mungesë efikasiteti, e tregon edhe në rastin kur i pason Qazim Laci. I gjendur para portierit kundërshtar, ul kokën dhe mbush topin me sa forcë të gjej te këmbët, ndërkohë që mund të kishte goditur me zgjuarsisht për të gjetur cepin e rrjetës. Nuk është parë në asnjë moment në 3 ndeshjet miqësore që të fitojë duelet me trup te kundërshtarët, që në Turqi dhe më herët e ka pasur pikën më të fortë. Duket si një “trup i huaj” te Shqipëria, aq sa për një moment nuk duket si lojtari që ka qenë makthi i një sezoni në Turqi. Rei Manaj, ti je?
Arbër Hoxha (6.5): “Premton shumë te Shqipëria dhe njëherë tjetër e dëshmon se pse Silvinjo e mori në Europian. Është e sigurt se do të jetë për vazhdimësinë te Kombëtarja, si një pikë e fortë e kuqezinjëve. Në disa momente gjatë ndeshjes, si kundër Lihtshtejnit, tregon të gjithë aftësinë e tij për të dehur kundërshtarin me driblimet e tij, por duhet të krijoj më shumë volum dhe të jetë i rrezikshëm gjithmonë, jo vetëm në disa pjesë të ndeshjes”.