Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria arriti që të fitonte kundër Ukrainës në shifrat 1-2 në transfertë. Një fitore e madhe për kuqezinjtë tanë, ndaj një kundërshtari që nuk kemi pasur aspak rekorde positive, ndërkohë më poshtë mund të gjeni vlerësimet e bëra nga Sport Ekspres për lojtarët e Shqipërisë.
Strakosha (6): “Si për çudi, në pjesën më të madhe të ndeshjes ishte spektator. Duheshin 40 minuta loje që Ukraina t’i afrohej dhe të kërcënonte portën tonë, por pa rrezik të madh konstant. Në golin e pësuar ka shumë peshë faji, mund të kishte evituar golin e pësuar dhe të shkundte lojtarët e tjerë që e lëshuan pak veten dhe e humbën përqendrimin me futjen në pjesën e dytë. Portieri është njeriu që të shpëton dhe të shkund në të tilla momente, por edhe Strakosha dukej po aq i hutuar. Megjithatë ruan vëmendjen për rastet e tjera dhe ia del me sukses të shpëtojë portën”.
Ismajli (9): “Silvinjo duhet të ndihet në borxh me të! Me siguri po, sidomos pas natës së sotme. Luajti në perfeksion të gjitha ndeshjet kualifikuese të Europianit dhe në Europian luajti…Ajeti. Ardiani rikthehet sot për të luajtur një tjetër ndeshje nën nivelin e rëndësisë së Europianit, por si të ishte një ndeshje Europiani. Shënon golin e barazimit dhe shënon 3 gola të tjerë për Shqipërinë, në total 4 gola. Ka shpëtuar tre gola të sigurt për Ukrainën, me këmbë, me trup, me kokë, me takë, me shpatull, me gjithçka, ishte një Strakosha pa dorashka në duar dhe që nuk i lejohet të prekte topin me dorë”.
Kumbulla (7): “Një paraqitje shumë e mirë e Marash Kumbullës. Ngrihet në nivelin më të lartë në pjesën e parë duke mbyllur në perfeksion lojtarët kundërshtar dhe rrezikun më të madh te Ukraina. Më pas disa gabime të vogla që duhet të rikuperohen, por dukshëm në një nivel fantastik që nga koha e hutimit kur i humbi besimi te vetja pasi u la në stol te Roma dhe përjetoi momentin e tmerrshëm te Sasuolo”.
Mario Mitaj(8): “Për disa mund të jetë lojtari më i mirë i krahut në historinë e Shqipërisë. Sigurisht, të tjerë do të reagojnë dhe do të japin emrat e tyre, veçanërisht ata të dashuruar me historinë, por Mitaj nuk e ka një të dytë. Vlera më e madhe i kuptohet një lojtari kur shënon gol apo jep assist, është më e lehtë ta kuptosh atëherë, por kur Mitaj të mungojë në një ndeshje me Shqipërinë, do ta kuptoni realisht sesa vlen ky njeri. Në një Shqipëri ku jo të gjithë lojtarët e kanë guximin për ta prekur topin dhe për ta mbajtur atë pa frikë, Mitaj tallet me kundërshtarët në një zonë shumë të frikshme për ne dhe e nxjerr të gjithë situatën e vështirë duke nisur një sulm të qetë gradual për Shqipërinë”.
Elseid Hysaj (6.5): “Një ndeshje positive edhe për kapitenin tonë. Mes një presioni të madh dhe me shiritin në krahë, Hysaj ia del të përgjigjet në mënyrë positive. Nuk bën gabime në mbrojtje dhe në pjesën e parë i detyron kundërshtarët që të luajnë më shumë në krahun tjetër. Në pasime dhe mënyrën sesi e zgjidh situatën në disa momente, nuk janë më të mirat e mundshme”.
Ylber Ramadani (7.5): “Ndoshta nuk vihet re shumë puna e tij dhe venitet nga Bajrami dhe Asllani që janë më të aftë në përdorimin e topit, por është motori i mesfushës. Grintë, shpirt, sakrificë, pa të mesfusha do të merrte një tjetër panoramë”.
Qazim Laci (7): “E ka fituar me dhunë vendin në mesfushë. Në fillim kur Silvinjo erdhi te Shqipëria, u duk se për Lacin nuk kishte një vend në formacion. Por ky lojtar i tregoi menjëherë aftësitë e tij dhe jo vetëm që po jep gjithcka nga vetja, por është rreziku kryesor për kundërshtarët. Nëse do të kishte fatin me vete, do të kishte shënuar gol dje në një nga dy rastet e humbura”.
Kristjan Asllani (8): “Mesfushor klas, me fat që e kemi në Kombëtare. Lëvizja me trupin, duket sikur vallëzon, bën gjithmonë veprimin që kundërshtari nuk e pret, asnjëherë nuk bën më të thjeshtën. Lojtari që i ka munguar prej vitesh Shqipërisë, e vetmja keqardhje që Reja e la në stol dikur dhe nuk e përgatiti që më herët për të fituar eksperiencën me Shqipërinë. Thjesht klas, ilaç për sytë.
Nedim Bajrami (8): “Nëse do të luante në ekip si luan për Kombëtaren, sot nuk do të transferohej te Rangers, por te Real Madrid. Eleganca, pasimi i gjatë brilant, nuhatja me portën, driblime mes dy dhe tre kundërshtarëve, i ka të gjitha. Kur vesh fanellën e kuqe ky njeri tërbohet. Nëse te Rangersi e duan Bajramin në këtë formë si te Shqipëria, duhet të ndryshojnë ngjyrën e fanellës, vetëm e kuqja e kthen në dem të tërbuar”.
Jasir Asani (7.5): “Asani jeton për Kombëtaren, luan për Kombëtaren dhe në fund del gjithmonë heroi i Kombëtares. Dhe nëse nuk shihet duke prekur topin për 10 apo 15 minuta me radhë, ky njeri kërkon vetëm një çast, një moment, për të shkundur rrjetën dhe për t’i dhënë fitoren Shqipërisë. E bën sërish, falë tij marrim tre pikët”.
Rei Manaj (8.5): “Sot ka nxjerrë ndeshjen e karrierës te Shqipëria. Ndeshja më e mirë e Manajt me fanellën e Shqipërisë, nuk ka asnjë dyshim. Ishte një “kafshë”, “çnjerëzor”. Të gjithë po qanim mungesën e Dakut dhe të Brojës, por me këtë ndeshje sot të Manajt, me siguri që askush prej tyre nuk do të bënte më mirë. Fitoi të gjitha duelet, shpenzoi frymëmarrjen e fundit në fushë dhe bëri i vetëm gjithë repartin e sulmit. Ushtronte presion vazhdimisht te mbrojtësat kundërshtar edhe duke qenë i vetëm dhe duke konsumuar gjithë energjinë e mundshme, më mirë se kaq nuk mund të kishte”.