Notat e ndeshjes/ Ivan Balliu ka të tjera pasime të fundit në La Liga, Myrto Uzuni mbi të gjithë dhe na braktis…kapiteni Veseli

Tre më të dobëtit

Amir Abrashi(5): “Ndoshta është tek ata pak lojtarë që vrapojnë dhe kanë ende shpirt te Kombëtarja. Por cilësia e lojës së këtij lojtari ka rënë ndjeshëm. Gjithmonë e kemi thënë se Abrashi është një mesfushor, loja e të cilit spikatet më shumë ndaj rivalëve si Spanja apo Italia, ku duhet më tepër të thyejë aksione. Nuk është në cilësitë e tij për të krijuar, si në rastin me Islandën. Shumë herë e ngadalësonte aksionin sulmues dhe e kthente topin mbrapa te Strakosha për t’i dhënë qetësi kundërshtarit. Ndonjëherë edhe përkushtimi nuk mjafton”.

Sokol Cikalleshi (5): “Tjetër ndeshje e dobët e Sokol Cikalleshit. Sulmuesi duket tërësisht jashtë forme. Na habiti të gjithëve që në ndeshjen me Izraelin ku u pa i lodhur fizikisht që në pjesën e parë, kjo ka qenë pika e tij më e fortë në të shkuarën. E njëjta situatë edhe me Islandën, Myrto Uzuni dukej sikur të luante i vetëm në repart. Asnjë koordinim me portën, driblim që t’i hapte punë Islandës apo pasim që të kanoste kundërshtarin. Një gjysëm note më tepër vetëm për gatishmërinë dhe sinqeritetin që tregoi pas ndeshjes, i vetmi, dukej që e kishte përjetuar situatën si çdo shqiptar tjetër. Një BRAVO gjithsesi”!

Veseli (4.5): “Kjo ishte ndeshja që mbrojtësit nuk kishin probleme. Islanda mbeti me 10 lojtarë dhe pjesa e parë u zhvilluar thuajse me një portë. As në të dytën nuk u krijuan shumë raste që prapavija të vendosej në gatishmëri. Më pas Veseli merr shiritin e kapitenit dhe kur duhet të tregojë sadopak eksperiencën e tij pas largimit të Ismajlit, na braktis. Kundërshtari i vendoset mirë me trup përpara dhe nuk i jep mundësinë për të ndërhyrë në golin e barazimit në minutën e fundit. Dramë e madhe”.

Tre më të mirët

Myrto Uzuni (7): “Është duke përjetuar formën më të mirë të karrierës. I mahnitshëm te Granada, për t’u duartrokitur edhe te Shqipëria. I jep një goditje të madhe Islandës për t’i lënë me 10 lojtarë që në minutat e para. Më pas dhuroi një asist brilant të niveleve të larta për Lenjanit. Thuajse i mbyll i vetëm dhe të gjitha kundër Islandës, por nuk mjafton për Kombëtaren”.

Ermir Lenjani (6.5): “I jep leksione Hysajt në krahun e majtë. Në aksionet sulmuese është nivel tjetër. Pasime fantastike jepen për shokët e ekipit dhe krosimet në zonë kanë rrezikshmërinë e duhur. Sikur të mos mjaftonte kjo, futet në qendër të zonës dhe shënon me pikën e tij më të dobët, në luftën në ajër. Edhe në mbrojtje është për t’u vlerësuar, në çdo rast largon topin edhe nga stadiumi nëse është e mundur vetëm për të mos gabime elementare, siç jemi mësuar t’i shohim shpesh në atë krahë”.

Ivan Balliu (6): “Ishte një ndeshje për Ivan Balliun. Pas daljes me kartonin e kuq te Islanda, hapësira u krijua dhe me sprintin e tij, Balliu e kishte shpeshherë “autostrad” përpara. Dilte mirë në fundore dhe ka aftësitë për të dribluar kundërshtarët. Spikati me energjinë që nuk shteroi kurrë, por mund të bënte më tepër me saktësinë e topave të futur në zonë, e kemi më parë ndryshe në La Liga. Shumë prej pasimeve që për të duhej të ishin finale dhe të përfundonin në asist, kalonin në goditje këndi”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *