Nga Klaudio Ndreca
Etrit Berisha (4): “Në shtatë dëshirat e Italisë për të shënuar, Berisha i plotëson tre. Por nuk janë golat e pësuar si problemi më i madh. Portieri i Torinos është dukshëm kaotik në veprimet e tij. Ndonjëherë zgjedh që të dalë nga porta para kohe si të ishte mbrojtës, duke e harruar kuadratin e zbrazur tërësisht. Me zemër në dorë të lë në çdo pasim me këmbë. Etriti e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, po bën kohë. Tani kërkojmë një ndeshje normale të tij për ta quajtur “të mrekullueshme”.
Marash Kumbulla (4.5): “Zakonisht ishim mësuar që kur mungonte Berat Gjimshiti, Kumbulla papritur transformohej për ndeshjen më të mirë me Kombëtaren. Nuk ndodhi këtë herë, Marashi na tradhtoi, sigurisht, jemi mësuar tashmë. Duhej të ishte lojtari që të jepte garancinë më të madhe, pika nevralgjike, por vazhdon me gabimet e shumta që ndikojnë direkt në gola të pësuar te Shqipëria. Minutat e tij të pakta te Roma po i vuajmë edhe ne si tifozë, mungesë e dukshme e besimit në vete dhe çoroditje totale”.
Ardian Ismajli (7): “Ne bëjmë gabimin më të madh, më pas zgjedhim që të bëjmë moral. I mësojmë vetë futbollistët duke përmendur emrat e ekipeve nga vijnë. Roma, Atalanta, Chelsea. Janë vetëm emra ekipesh të njohura në Europë, Kombëtarja nuk ka parë asnjë të mirë prej tyre. Më i miri ndaj Italisë ishte lojtari i Empolit, që në mbrojtje po dominon prej kohësh me performancat e tij. Jo vetëm me golin e shënuar, por edhe me shumë duele të fituar ndaj italianëve. Pa të në mbrojtje do të pësonim një disfatë të thellë që me siguri nuk do të ishte edhe aq e bukur për t’u parë në Air Albania. Kënaqësi ta shohësh, duhen më shumë si Ardiani”.
Enea Mihaj (4.5): “Shumë pritshmëri kishte për këtë lojtar kur luante me Panetolikos dikur. Me kalimin e viteve ndodhi e kundërta, Mihaj nisi të zbehej. Ndaj Italisë nuk ishte ajo ndeshje që ne do të donim. Mihaj nuk garantoi asgjë në mbrojtje, shpeshherë na nxirrte zbuluar ndaj një kundërshtari si axurrët. Disa situata mund t’i kuptonte më mirë, pritej shumë më tepër prej tij. Mund të justifikohet me paraqitjet e pakta me Kombëtaren, shanse të tilla vijnë rrallë gjithsesi”.
Elseid Hysaj (5): “Ndeshje normale e Hysaj. Këtë herë humbja nuk bie mbi të. Reja e kishte nxjerrë në krahun e preferuar, të djathtin, larg përshtatjes në të majtin. Megjithatë Hysaj nuk ndryshon shumë, veçse sigurisë së shtuar në mbrojtje. Vazhdon që ta teprojë me mbajtjen e topit në disa rate, por këtë herë ruleta i qëlloi në krahun e tij. BINGO”.
Lenjani (5.5): “Mbrojtësi 33-vjeçar që luan te Umraniyespor nuk të bën të emocionohesh shumë. Goli i parë i pësuar vjen për shkak të tij, nuk arrin të mbajë Di Lorenzon që na shënon golin. Në mbrojtje ka shumë për të përmirësuar, mosha nuk i lë shumë vend. Në aspektin sulmues është për t’u përgëzuar. Krosimet e futura në zonë ishin të rrezikshme, si “dita me natën” me Hysajn për të ndihmuar në fazën sulmuese. Për t’u përmendur krosimi i telekomanduar i dhënë për Odise Roshin, që nuk realizoi dot para portierit”.
Keidi Bare (6.5): “Na kishte munguar Keidi. Dëmtimi e la jashtë në dy ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares në Ligën e Kombeve. I fortë fizikisht, arrinte të fitonte duele, e mbronte bukur topin dhe e trajton mirë atë në këmbë. Has pak vështirësi vetëm me Verratin, me të i shfryn nervat më pas. Është padyshim tipi i mesfushorit që nuk duhet ndërruar kurrë te Kombëtarja, pavarësisht kritikave që vijnë për gjithëkënd. Ishte vetëm një miqësore, por Bare tregon grint dhe shpirt, duke iu kthyer Veratit në një përleshje fizike. Epo, te kjo Shqipëri e sotmja, këtë nuk po e shohim as në ndeshjet zyrtare. Për më tepër kjo miqësore me Italinë, ndoshta është tepruar paksa, nuk po luanim një vëllazërore me Kosovën. Në një mbrëmje të tillë dukej se të ishte kundër Italisë është si të quhesh…tradhtar”.
Amir Abrashi (5.5): “Është lloji i lojtarit që duket pikërisht në ndeshje të tilla. Abrashi shquhet veëm për vrapimin dhe për përballjet ndaj Kombëtareve të këtij niveli të larta, pasi i mungojnë cilësitë për të organizuar apo dribluar. Sigurisht që në Shqipërinë e Rejës ka humbur jo pak pikë, për shkak të ndryshimit të skemës dhe futbollit. Abrashi nuk të jep asgjë në sulm, por sa herë që të ndeshemi ndaj Kombëtareve si Italia, gjithmonë do të vihet re”.
Nedim Bajrami (6): “Edhe nëse është një “e keqe”, është “e keqe e domosdoshme”. Ky është rasti i Nedim Bajramit, veçanërisht ndaj Italisë. Ndryshe nga më parë, pamë më tepër nga aftësitë dhe potenciali i këtij lojtari. Ende larg nga mbrëmjet fantastike te Empoli, te Shqipëria nuk e ka arritur një pikë të tillë me një gol të shënuar. Në disa momente e vononte topin pak më tepër se duhej, por është i vetmi që mund ta kontrolloj topin pa frikë dhe t’i japi rrezikshmëri aksionit”.
Armando Broja (4): “Hyri në fushë pas diskutimeve për shkak të një dëmtimi të mëparshëm. Praktikisht ishte si të mos kishte zbritur në fushën e blertë. Nuk arriti të vendoste në punë arsenalin e tij dhe shihej si një fantazmë. Largohet nga fusha e blertë pas shqetësimeve dhe të ndiera dhe kjo dëshmon se lojtari nuk ishte në gjendje të mirë. Edhe për shkak të saj, nuk duhet ta kritikojmë kundër Italisë, por klasën nuk e kalon, testimi është bërë”.
Myrto Uzuni (6): “Në pjesën e parë duket pak në fushën e blertë. Në të dytën vihet re më tepër, nuk e ndalon vrapimin në asnjë moment. Erdhi nga Spanja dhe braktisi kampionat për ndeshjen me Italinë, dëshirën e tregoi në fushën e blertë. Traversa i ndaloi një gol të bukur që do ta mbante mend në karrierën e tij. Ky lojtar e ndezi jo pak herë Air Albanian me shkëndijat e dhëna”.