Notat e Kombëtares/ Hysaj shkëlqen në rolin “e hallit”, Kumbulla ishte dështimi më i madh dhe Gjasula si “Sergio Busquets”

Nga Klaudio Ndreca

Etrit Berisha (4): “Ishte diskutimi që e kishim ngritur që në krye të herës, për herë të parë kishim vështirësi në zgjedhje të portierit, këtë herë nuk ishte luks zgjedhje. Berisha dhe Strakosha po ngrohin stolin, instinktet e tyre nuk po provohen më në ndeshje. Reja i besoi eksperiencës, eksperienca e tradhtoi. Ndoshta ishte edhe pjesë e fatit, por 5 gola të shënuara(1 i anuluar për pozicion jashtë loje) me 5 goditje në portë tregon se kushdo tjetër mund të bënte më mirë në vendin e Berishës. Ka shumë faj në golin e dytë që prishi ekuilibrin e lojës. Pasi e pësuam një gol me goditje standarte, kishte gjithë mundësinë për të kapur topin pas krosimit nga goditja e këndit te kundërshtarët. Ishte i pa shqetësuar nga polakët dhe do t’i sillte qetësinë lojtarëve tanë. Nuk e bën, thjesht e grushton për ta dërguar diku më tej. Polakët e gjejnë topin dhe në krosimin e radhës Berisha duhet ta nxjerrë sërish topin nga rrjeta. Duket i dorëzuar në çdo rast që i paraqitet”.

Marash Kumbulla (4): “Përse nuk i beson Murinjo te Roma? Përgjigjen e gjeni ndaj Polonisë. Marash Kumbulla ishte dështimi më i madh i emrave cilësorë të Shqipërisë. Tërësisht i pasigurt dhe krijon kaos në mbrojtje duke stonuar në treshen “e perfeksionit” të supozuar. Niveli i tij duket edhe më i dobët pasi kemi në mendje ende paraqitjet e tij me Veronën, kur ishte thjesht i pakalueshëm dhe mur i vërtetë. Tani Kumbulla mund të kalohet fare lehtë nga kundërshtari. Në golin e dytë të Polonisë qëndron si spektaktor dhe nuk mbulon asnjë futbollist, duke e lënë Ismajlin të vetëm mes dy kundërshtarëve.

Në golin e tretë harron se po luan me Kombëtaren dhe tenton të testojë aftësitë e tij ndaj yllit botëror Lewandowski. Topin mund ta dërgonte fare lehtë jashtë vijave kufizuese, por zgjedh ta mbajë me besim të tepruar dhe më pas rrëzohet në tokë për t’i lënë golin kundërshtarëve. Harroi se pas shpine kishte Lewandowskin, faturën e paguan Shqipëria. Supozohej se Murinjo do ta perfeksiononte në mbrojtje, por Marashi kishte harruar edhe ato gjëra bazike që dinte më herët. Nëse vazhdon në këtë nivel do të ishte më mirë që të qëndronte në stol dhe të mos merrte përgjegjësinë për të hyrë në fushën e lojës. Zhgënjyes”!

Berat Gjimshiti (5.5): “Berati është gjithmonë aty për të bërë diferencën në linjën e mbrojtjes. Nëse Polonia ka kundërsulmin dhe duhet të kalohet Gjimshiti, tifozët shqiptar qetësohen disi pasi fundi është i ditur. I thyen aksionet e kundërshtarëve dhe bën sa mundet duke mbyllur më së miri detyrën e tij, për t’i dhënë edhe një dorë sulmit. Garanci e madhe që nuk ka njohur lëkundje kurrë në gjithë këto kohë”.

Ardian Ismajli (5.5): “Ka të njëjtën lartësi me Gjimshitin. Ndihmon me Beratin më tepër sulmin, për t’i dhënë një dorë më të madhe Kombëtares duke dalë përtej detyrave. Në mbrojtje nuk mund të kalohet thjeshtë dhe meriton notë pozitive për performancën e kryer pasi tregon garanci”.

Lorenc Trashi (5.5): “Në formacionin e Shqipërisë ishte i vetmi që luan me një skuadër si Al Qadisya. Pra kishte jo pak dyshime për nivelin që mund të tregonte në fushën e lojës. I përgjigjet në mënyrën e duhur dhe ia del ndaj një rivali si Polonia. Shpeshherë arrin të driblojë kundërshtarët në një për një dhe fut krosimet e rrezikshme në zonë. Mbyll mirë dhe nuk lejon që rivalët të kalojnë nga krahu i tij. I mungon vetëm besimi te aftësitë për të guxuar më tepër që të jetë edhe më i rrezikshëm në krahë, krosimet nuk mund të jenë gjithmonë e vetmja zgjidhje prej tij”.

Elseid Hysaj (5): “Në aftësi dhe eksperiencë është më i miri te Kombëtarja, por nuk e vendos në shërbim të plotë. Mbrojtësi shkodran ka gjithmonë dy fytyra, “ëngjëllin” dhe “djallin”. Shpeshherë i ndërron në ndeshje të ndryshme, por ndaj Polonisë i përdori të dyja. Fillimisht dukej se do të bënte diferencën me driblimet e nisura në krahë për të mbërritur te “mendjemadhësia”. Goli i fundit i shënuar me Lacion e bëri Hysajn që të fluturonte disi dhe të kërkonte realizim tjetër me Shqipërinë. Tenton për të shënuar nga pozicione të pamundura për të dhe nuk shërben për shokët e ekipit kur bëhet fjalë për të krijuar rrezikshmëri të vërtetë në portën kundërshtare. Shpeshherë e tepron me mbajtjen e topit duke ia dorëzuar rivalit dhe goli i parë i Polonisë erdhi pikërisht prej kësaj arsye.

Në krahun e djathtë po kthehej në të zakonshëm, derisa Reja e kaloi në të majtë. Aty shkodrani u transformua dhe nisi të driblonte të gjitha kundërshtarët që kishte përpara, duke e përsëritur në disa raste për të krijuar rrezikshmëri të madhe. Njëkohësisht erdhën edhe dy pasime kalibri te Cikalleshi dhe Roshi që nuk u shfrytëzuan. Vërtet e çuditshme pasi Hysajn ka krahun e djathtë si të preferuar, ndërsa në të majtin e nisi aktivizimin te Napoli vetëm në rastet emergjente kur mungonte futbollisti që mban atë rol. Te Kombëtarja shkëlqen më shumë në krahun e kundërt”.

Klaus Gjasula (7): “Më i miri i takimit. Ka gjakftohtësinë e duhur për të ndaluar sulmet e Polonisë, vendos rregullin edhe në ato pak momente kur krijohet kaosi në mesfushë. Pavarësisht formës jo të mirë që kaloi te Hamburgu, te Kombëtarja po vazhdon që të mbajë lartësinë e zakonshme. Cikalleshi i dhuroi një asist që duhet ri parë në disa momente për të kuptuar klasin e tij. Të shumta ishin rastet që nxirrte blof vendosjen e polakëve me pasimet e dhuruara te sulmuesit e Shqipërisë. Ylli i ndeshjes, “Sergio Busquets”!”.

Amir Abrashi (5.5): “Minuta e 4 dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Abrashi është po i njëjti dhe nuk ndryshon kurrë, zemra e Kombëtares. Vrapon kudo dhe mund të shihet në të gjithë fushën. Maratonomaku na kujton Shqipërinë e De Biazit dhe pa grintën e tij, kuqezinjtë humbasin shumë. Duhet vlerësuar edhe për shkakun se nuk e rrezikoi kurrë ndëshkimin me kartonin e kuq. Pra duke vlerësuar seriozitetin e gjendjes, bënë gjithçka për të kufizuar vetveten për hir të Kombëtares. Këmbët “i hanin” për ndërhyrjet e tij të zakonshme, që në disa raste përfundojnë edhe keq në këmbët e kundërshtarit. Por nuk e tenton kurrë pasi Shqipëria do të përfundonte me 10 lojtarë”.

Keidi Bare (6): “Keidi Bare është motori i mesfushës. Ka edhe disa të meta pasi gabon në disa pasime të thjeshta, ashtu si edhe në golin e tretë të Polonisë duke i dhuruar topin Leëandoëskit. Megjithatë duhet të kuptojmë se Bare ka qarkulluar sferën në mesfushë gjatë gjithë kohës dhe janë të pritshme edhe disa gabime. Ndryshe nga mesfushorët e tjerë, ka shumë besim te vetja duke përparuar me topin dhe provuar driblimet ndaj rivalëve, aftësi kjo që nuk gjendet te Abrashi dhe Gjasula. Me rëndësi jetike për Kombëtaren”.

Cikalleshi (6.5): “Në epokën e trajnerit Reja, Cikalleshi është sulmuesi më produktiv. Formën fantastike te Konyaspori e përligj edhe te Kombëtarja. Në pjesën e parë ishte lojtari më i mirë në fushën e lojës. Goli i shënuar demonstron gjithë aftësinë dhe potencialin e këtij futbollisti. Thuajse asnjëherë nuk humbet topi kur e vendos në kontroll, ndërsa gjithmonë bën zgjidhjet më të mira për të qenë kërcënues para portës kundërshtare. Në pjesën e dytë humb disi nga energjitë e tij dhe vjen loja në zbehje, por është gjithmonë aty për të ndezur shkëndijën”.

Rei Manaj (6): “I ardhur nga Barcelona nga stërvitja me ekipin e parë të katalanasve, e gjithë vëmendja ishte te Rei Manaj. A do të vihej re në fushën e lojës që ishte stërvitur me yjet e Europës? Ajo që kuptuam ishte se sulmuesi kishte progres pozitiv dhe ishte rritur ndjeshëm. I mungoi vetëm goli për të përmbyllur performancën pozitive. Arrinte që të fitonte duelet me trup ndaj të gjithë polakëve dhe “fitoi” një penallti që arbitri nuk dëshironte ta akordonte në favor të Shqipërisë. I shkon fare pranë edhe shënimit të golit në pjesën e parë, por Shezni ia mohoi. Nuk na zhgënjen”.

Reja (5): “Nuk mund të marrë notë më të lartë pas një humbje me shifrat 4-1. Por duke dominuar Poloninë në transfertë sa i përket goditjeve në portë, rrezikshmërisë dhe duke qëndruar i barabartë në kontrollin e topit, e kalon klasën. Për formacionin titullar nuk bëri asgjë keq, foli fusha për të. Vetëm Berisha dhe Kumbulla stonojnë, por ishin zgjedhje që duheshin bërë dhe nuk kishte mundësi të tjera. Te Kombëtarja dukej dora e trajnerit dhe mënyra sesi po sulmonim meriton komplimente. Duhej të ndërhynte më shpejt te zëvendësimet. Por duhet të kuptohet se Reja nuk mund të futet dhe të shënojë vetë, pasi vetëm kjo po i mungonte Kombëtares. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *