Opinion nga Adriatik Dosti
Mjaft fjetët ,ose më mirë deklarojeni veten të vdekur dhe të gjithë ne komuniteti i shumëllojtë i këtij sporti, dashamirësit e shumtë të futbollit e vetë futbolli ta mbledhë mendjen njëherë e mirë e të përgatitet për varrimin e tij e tuajin bashkë…
A e shikoni ç’po ndodh, a keni sy e veshë, a keni gojë të flisni e mendje të gjykoni, a keni guxim e kurajo të mbroni gjakun e djersën tuaj derdhur lume ndër vite, a nuk ju dhimbsen sakrificat dhe një jetë e tërë kushtuar futbollit, që po heshtni kaq turpshëm dhe e keni nxjerrë atë në ankand e mëshirë te fatit aq sa sharlatanët e kollovarët kanë zënë e luajnë e tallen me ju e atë bashkë?
A nuk ju bën fare përshtypje që një i ashtuquajtur Avokat i fushatës zgjedhore të Finos del e bërtet në Opinionin e Fevzo faqeziut pa iu dridhur qerpiku fare se do kërkojë Arrestime e Burg për Komitetin Ekzekutiv …pra për Mujo Targajn, Bardh Jerën, Abdyl Kuriun, Vasil Bicin, Lutfi Nurin, Edvin Libohovën etj, qe i kanë dhënë e falur jetën e tyre futbollit kur këta spurdhjakë ende s’kishin dalë nga barku i nënës së tyre….
Se do fusë në burg kryetarët e shoqatave e aktivistët e këtij rangu të tillë si Sulejman Mema, Edi Martini, Armir Grima, Armando Cungu, etj etj, gjithsesi figura tepër të respektuara të historisë së futbollit tonë ndër vite…
A nuk ju vjen sadopak keq kur po shihni këto ditë se nuk mbeti TV pa bërë emision special nën okelion provokuese Fino apo Duka..e nuk mbeti “gazetar VIP” pa ftuar në studiot e emisionit te tij lloj-lloj laramanësh qe nuk e di se me çfarë kurajoje marrin përsiper të flasin për hallet e problemet e shumta të futbollit shqiptar…
Po pse ore njerëz të mirë të futbollit shqiptar, deri aty paska mbërritur puna sa në momente të tilla delikate e tepër deçizive t’ia varni Ujkut mëlçitë në qafë e t’ia dorëzoni fatet e futbollit një Kryetari shoqate bastesh që deklaron se jam Kandidat për në komitetin e ri Ekzekutiv dhe shan e sulmon federatën e mbron me histeri Finon e PS…[rasti A.Shyti]
Aq sa një tjetër kandidat i ardhshëm bën të njëjtën gjë vetëm e vetëm se Finua na e paska cituar në projektet e tij si kandidaturë të mundshme te Kom. Ekzekutiv të nesërm..e pikërisht ky person deri dje nën drejtimin e FSHF po prej Dukës ka qenë, djersën e sakrificat e tij e tuajat ndër dekada të dalin e t’i ”mbrojnë” apo edhe përdhosin njerëz që kurrën e kurrës nuk i ka lidhur asgjë me futbollin e që dje zbriten në asfalt .. e që pardje mesuan se ku bie stadiumi ..e që quhen Çim Peka, Ylli Aga, Muç Nano, Fatjon Shehu, Mero Baze, Ylli Pata etj etj…apo prisni që të flasin edhe Precç Zogaj, Lorenc Vangjeli, Spartak Ngjela, Arjan Çani, ulëritesi Shakohoxha e ndonjë tjetër që të zgjoheni e të reagoni?
A nuk ju duken pak si shumë kërcënimet e gjuha rrugaçërore, partiake e tipike komuniste e vetë Finos, por edhe e mbrojtësve fanatikë e histerikë të tij nëpër gazeta, radio e tv ..ku po ju tundin para syve fjalët Prokurori, Gjyq, Burg, Arrestime, Dënime..etj etj..
A e dëgjuat deklaratën e tij te sotme tek akuzon PD e Bashën se po ndërhyjnë në Gjykata për punën e Shoqatave dhe i kërcënon haptazi duke ju thënë … ju qëndroni larg e mos guxoni t’i afroheni futbollit e garës për zgjedhjet e reja…ndërkohë që Partisë së tij i lutet t’i qëndrojë atij afër e të fusë duar e hundë ne punët e futbollit, sepse kjo na qenka e ligjshme e normale për Kollovarin provincial që kërkon të zërë fronin e FSHF…
Çfarë prisni, që edhe futbollin të na i uzurpojnë Olsët, Gazët, Erionët, Safetët, Taulantët, Braçet, Bashkimët e soji e sorollopi i tyre pervers, bandit e hajdut që s’ka lënë gjë pa i bërë atij vendi e atij populli?
Natyrisht FSHF, Komiteti i saj Ekzekutiv dhe vetë Presidenti Duka kanë gjynahet e gabimet e tyre të shumta e për të cilat duhet të kenë kurajo të përgjigjen, por ama krahasuar me Politikën e politikanët, që kane ndaj këtij vendi e këtij populli borxhe, mëkate e kusure pa hesap, krahasimi është ku e ku dhe si nata me ditën, sepse komuniteti i futbollit as ka burgosur, torturuar, internuar, e as ka vrarë e lincuar njeri. Ndërsa soji bastard i tyre vrau, preu, burgosi, torturoi, internoi, varfëroi e izoloi një popull e një komb të tërë për gati gjysmë shekulli e të njëjten gjë po bën pothuajse njësoj edhe sot e kësaj dite…ndaj thirrini mendjes mirë o njerëz…
Zgjohuni pra mo, çfarë prisni, apo keni qejf të vije e t’u zgjojë Fino e Partia e tij me kërbaçin e dajakun që mbajtën zap me dhunë një vend e një popull të tërë për 45 vjet me radhe e i nëpërkëmbën si askush tjetër në historinë e tij?…
A.R.DOSTI..