Kristjan Asllani shënoi mbrëmjen e sotme golin e dytë me fanellën e Interit. Mesfushori shqiptar i dha barazimin 2-2 zikaltërve në miqësoren kundër Monakos. Pas përfundimit të ndeshjes, 20-vjeçari ka folur për mikrofonin e “SportItalia“-s. Asllani ndihet i lumtur me arritjet e tij, teksa para një viti nuk luante as në Primavera, ndërsa tashmë po luan përkrahë lojtarëve që u shpallën nënkampion të Serisë A. Ish-lojtari i Empolit tregon se objektivi i këtij sezoni është titulli kampion.
“Në dymbëdhjetë muaj, praktikisht një vit e gjysmë, nga mos luajtja në Primavera, arrita këtu. Unë punoj për të dhënë gjithmonë më të mirën time. Jam shumë i lumtur që stërvitem me ta çdo ditë, vetëm mund të mësoj nga njerëz të tillë dhe të përpiqem të bëj sa më shumë që të jetë e mundur. Dua të mësoj sa më shumë nga bashkëlojtarët e mi, do të përpiqem ta bëj sa më shpejt. Qëllimet personale? Unë shikoj nga ndeshja në ndeshje, por ne kemi një objektiv ekipi që është të fitojmë Scudetton. Këtë synojmë dhe do të përpiqemi ta arrijmë. Lukaku? Ai të jep menjëherë përshtypjen se është një baba. Një i tillë ju ndihmon shumë në lojë“, ka deklaruar Kristjan Asllani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/