Një vit kuqezi por pa debutuar në fushë, kur fati luaj lojëra me Florian Kamberin

Florian Kamberi përbën një rast të paprecedentë me Kombëtaren shqiptare. Nëntori shënon plot 1 vit që nga momenti kur sulmuesi i tha “Po” Shqipërisë. Një vit kuqezi, por asnjëherë nuk e ka veshur fanellën kuqezi në trupin e tij. Debutimi në fushën e lojës është zvarritur pafund dhe tashmë pritet viti 2021 që Kamberi të përmbushë dëshirën e tij.

Fatin nuk e ka pasur pas me Kombëtaren, teksa prej kohësh po luan lojëra me të. Fillimisht ishin çështjet burokratike të dokumentave nga ana e Zvicrës që penguan Florian Kamberin të vihej nën urdhërat e Edi Rejës. Por kur një problem i tillë u zgjidh, pandemia mori frenat e botës në dorë duke ndalur futbollin dhe çdo pjesë tjetër të jetës.

St Gallen nuk dëshironte që në shtator e tetor të jepte dritën jeshile për lojtarin shqiptar që t’i bashkohej kuqezinjve nga frika e një infektimi të mundshëm. Megjithatë diçkaje të tillë nuk i është shmangur dot as në Zvicër, teksa vete klubi njofton se lojtari i tyre është pozitiv me Covid-19. Kamberi ka hyrë në izolim deri në momentin kur të fitojë betejen me virusin, duke humbur kështu edhe shansin për të debutuar me Kombëtaren në 3 ndeshjet e ardhshme të nëntorit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *