Në futboll nuk mjafton të jesh trajner i suksesshëm, duhet të dish të ndërtosh marrëdhënie të mira edhe me tifozët, por edhe me kundërshtarët.
Model i vështirë për t’u ndjekur, për të gjithë, ndërkohë që në Shqipëri pak trajnerë kanë komunikim dhe shkëmbim idesh me tifozët. Një prej tyre është Ernest Gjoka, i cili kudo ku ka punuar ka ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët, mjafton të kujtohet konflikti që shkaktoi të Kukësi largimi i tij dhe zëvendësimi nga Milinkoviç.
Tani Gjoka bën diçka të veçantë, që vetëm ai e ka bërë në Shqipëri më parë, sepse e ka bërë edhe në vitin 2013 në Vlorë: komunikim direkt me tifozët!
Nga Ulqini, ku është më Vllazninë, trajneri kuqeblu do të jetë online në faqen zyrtare të Vllaznisë (FK Vllaznia-faqja zyrtare në Facebook) në orën 18-19 sot në mbrëmje.
Pa filtra, pa censurë, pa kufizim dhe pa moderim: tifozët do të pyesin për gjithçka i shqetëson apo nuk dine në lidhje me Vllazninë, ankesat e sugjerimet, ndërsa Gjoka do të jetë para kompjuterit, duke u përgjigjur, ose duke u munduar të kënaqë të gjithë, sepse dihet që Vllaznia ka tifozë pa fund dhe një iniciativë e tillë do t’i aktivizojë jo pak.