Albacete ka arritur të fitojë me rezultatin 0-1 në transfertën e Alcorcon. Goli i vetëm i takimit erdhi nga sulmuesi shqiptar, Rei Manaj. Ky i fundit nuk do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë, megjithëse jemi mësuar që në shumicën e rasteve të mos jetë ky lojtar që ka ekzekutimin në “ruletën ruse”.
Në një intervistë për mediat spanjolle, Manaj ka qartësuar gjithë situatën, por njëkohësisht zyrtarizon edhe ftesën e Shqipërisë që i ka mbërritur për dy ndeshjet e radhës.
“Është një fushë e vështirë kjo te Alcorcon, por unë mendoj se ne kemi luajtur shumë mirë. Kemi interpretuar një lojë ashtu siç duhej. Ne e dinim lojën që ata bënin. Tre pikët kanë ardhur për Albacete dhe kjo është më e vështira.
Trajneri i ka zgjedhur lojtarët që do të godasin nga pika e bardhë: “Susaeta dhe unë”. Doja ta godisja atë penallti dhe i thashë Susaetës. Mund të ndodh në një rast tjetër që Susaeta të kërkojë penalltinë dhe unë do ia lë, nuk ka asnjë problem për mua. Të dielën unë do të jem i përqendruar me Kombëtaren pasi ne luajmë dy ndeshje të rëndësishme, fillimisht kundër Turqisë që do të jetë shumë e rëndësishme për kualifikimin në Europian. Sigurisht, në këndvështrimin tim, do të bëjmë shumë mirë”, ka thënë Manaj. /Sport Ekspres/