Dinamo mund të jetë keq në pikët e grumbulluara dhe në renditjen aktuale të Superiores, por për fatin e madh, në organikë të saj ka duar shpëtimtare. Harizaj ishte një nga portierët më me prespektiv në Superiore, që i la vendin Bakajt, për t’u kthyer në më të mirën e elitës së futbollit shqiptar. Por të kesh edhe portierin e tretë në këto nivele, është vërtet shumë. 17-vjeçari Simoni i ka dhënë dy pikë skuadrës së Dinamos në dy ndeshjet e zhvilluara. Pritje shpëtimtare ndaj Vllaznisë dhe i mohoi golin e fitores Mensah, duke e detyruar Memellin që të shtrihej në tokë pasi nuk i besonte syve.
Një tjetër ditë që linte shkollën për të shpëtuar Dinamon. Përtej sjelljes në fushën e lojës, mentaliteti i Simonit është disi ndryshe nga e përgjithshmja. Nëse mendoni se 17-vjeçari për shkak të moshës mbingarkohet nga emocionet kur thirret në apel, në fakt është krejtësisht e kundërta: “Jo, nuk kam fare emocione. Unë dua vetëm që të argëtohem pak”. Ndoshta edhe për shkakun e moshës së tij, Simoni mendon se është duke luajtur siç bën gjithmonë. Por kjo lojë e tij ka rezultuar kaq shumë e rëndësishme për Dinamon, që në kushte të tjera, do të provonte fundin e vërtetë. /Sport Ekspres/