Përveç Dejvi Bregut, që ka firmosur me Skënderbeun që në janar, janë edhe dy lojtarët e huaj që kanë shkëlqyer me ekipet ku luajtën sezonin e fundit
Në Korçë të gjithë janë duke pritur vendimin e CAS-it, që pritet të merret para datës 5 qershor. Pritet me ankth të mësohet, nëse ekipi do të marrë pjesë në Champions League apo, por drejtuesit e klubit po punojnë për të ardhmen. Shumë herë është folur për lojtarët e huazuar të Skënderbeut në skuadra të tjera jashtë dhe brenda vendit. Janë 10 lojtarë të huazuar, pra një skuadër e tërë dhe ndoshta ka ardhur momenti që ndonjëri prej tyre të rikthehet në ekip. Bruno Lulaj i huazuar te Laçi dhe Ardit Hoxhaj te Flamurtari, janë lojtarë që e kanë treguar veten sezonin e fundit. Reza Karimi është një emër tjetër i njohur, që për disa muaj luajti te Teuta në huazim. Lulaj me siguri do të kthehet këtë verë te Skënderbeu, sepse është një lojtar që u bën punë bardhekuqve.
BREGU – Pse mund të quhet Bregu huazim? Ai ka firmosur që në janar, ashtu si Kristal Abazaj, por të dy lojtarët u lanë në formën e huazimit te Luftëtari. Bregu nuk ka nevojë për reklamë, sepse e njohin tashmë të gjithë se kush është. Ai është zyrtarisht pjesë e Skënderbeut dhe më 10 qershor, kur ekipi të zbresë në fushë, do të veshë fanellën bardhekuqe. Një talent më shumë për Skënderbeun, një blerje e bujshme që në janar.
XHON – Një tjetër talent që pritet të rikthehet te Skënderbeu, është nigeriani 20-vjeçar Oto Xhon. Prej dy sezonesh është sulmuesi më i mirë i Trepçe 89’, ku ka dhënë kontributin e tij te kjo skuadër. Skënderbeu e huazoi në mënyrë që ai të luajë rregullisht dhe të rritet si lojtar. Por tashmë duket se ka ardhur momenti që trajneri Ilir Daja ta shikojë nga afër. Nuk dihet kur Xhon do të bashkohet me Skënderbeun, sepse do të vendosë trajneri, por kuptohet që një lojtar golashënues i bën shumë punë, ndaj dhe për rikthimin e nigerianit ka shanse të mëdha. Burime pranë gazetës kanë bërë me dije se Xhon këtë verë e ka të sigurt rikthimin te Skënderbeu.
ÇARLS – Është 21 vjeç dhe dhe ka firmosur për katër sezone me Skënderbeun. Kur erdhi në Shqipëri, korçarët e huazuan te Besa, ku qëndroi shumë pak, ndërsa tani ndodhet te Rabotniçki në Maqedoni dhe sezonin e fundit ka shkëlqyer. Sulmuesi 1.92 m i gjatë shihet si një talent, por nëse Oto Xhon kthehet në Korçë, nuk mund të ketë vend për dy të huaj të rinj. Në këto kushte, Çarls mund të vazhdojë të luajë në Maqedoni.
Lojtarët e huazuar të Skënderbeut
Xhefri Çarls (Rabotniçki)
Serxhio Zhunior (Rabotniçki)
Oto Xhon (Trepçe 89’)
Shend Kelmendi (Trepçe 89’)
Ardit Hoxhaj (Flamurtari)
Dejvi Bregu (Luftëtari)
Bruno Lulaj (Laçi)
Reza Karimi (Teuta)
Anteo Osmanllari
Paolo Ivani