Është publikuar pak më parë lista e parë me 30 lojtarët që janë kandidatë për fitimin e Topit të Artë. Si rrallë herë, një shqiptar gjendet mes më të mirëve të botës. Bëhet fjalë për Granit Xhakën. Mesfushori me origjinë shqiptare është përfshirë në listën zyrtare për futbollistët që janë në garë për trofeun individual më prestigjoz. Xhaka la pas një sezon mbresëlënës me Leverkusenin.
Ai ishte lojtari kyçi klubit gjerman, i cili e mbylli sezonin me vetëm një humbje, atë kundër Atalantës në finalen e Ligës së Europës. Xhaka gjithashtu fitoi Bundesligën gjermane, si dhe Kupën e Gjermanisë. Ndërkohë në verë udhëhoqi Zvicrën me shiritin e kapitenit drejt çerekfinaleve të Kampionatit Europian. Xhaka ishte padyshim lojtari më i mirë i helvetëve përgjatë turneut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/